| |
Thyerjet e shtabeve zgjedhore dhe sulmet kundër aktivistëve partiak të BDI-së u bë përditshmëri. Ne, edhe kësaj radhe njoftojmë për shtabet tona të demoluar në shumë vendbanime në Tetovë. Po ashtu u bënë praktikë edhe përgjigjet e Ministrisë së punëve të brendshme se autorët e këtyre dhunimeve parazgjedhore janë të panjohur. Ne vazhdojmë t’i denoncojmë sulmet që na bëhen, të vetëdijshëm se MPB-ja edhe më tej nuk do merret me zbulimin e destruktivëve, por, ndoshta edhe me fshehjen dhe përkrahjen e tyre. Këtë e themi sa mos lëmë përshtypje se nuk e dimë qw u drejtohemi veshëve të shurdhtë, sa tw mos mendojë Jankullovska se nuk e dimë qw këto ankesa tona, ndoshta arrijnë në adresën e cila, sipas disa informatave që kemi nga terreni, i frymëzon dhe i nxit keqbërësit që duan ta torrturojnë popullin shqiptar. Këtë e themi pasi që disa herë me radhë, edhe publikisht, aktivistët tanë kanë informuara se aktivistë të PDSH-së janë furnizuar me legjitimacione të njësisë policore Alfa vetëm që më lirshëm të dhunojnë popullin e vet.
Andaj, për të gjitha që ndodhin në terren, ne fajësojmë Ministrinw e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, e cila paguhet për të mbrojtur qetësinë e qytetarëve. Akuzojmë ministreshën Jankullovska, e cila siç duket, shqiptarët e Maqedonisë i ka lënë në duart e Refet Elmazit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Se çfarë qëndrimi kanë institucionet shtetërore ndaj fushatës parazgjedhore, u pa qartë kur në rrugën Tetovë-Gostivar u ngritën rampat që veturat e simpatizantëve të PDSH-së të kalojnë pa paguar taksë rrugore si gjithë qytetarët tjerë. U pa se atje ku duan të shkojnë aktivistët e PDSH-së institucionet e shtetit janë të pafuqishme dhe të verbëta.
Se sa i ngushtë është bashkëpunimi mes një pjese të njësisë policore Alfa dhe partizanëve të PDSH-së, shqiptarët e shohin çdo ditë. Por, ata nuk kanë ku t’i denoncojnë këto raste, sepse jo njëherë u ka ndodhur që dhunuesi i tyre të jetë ai ku duhet të denoncojnë rastin e dhunës. Këtë nuk e sheh vetëm ministresha Jankullovska, e cila në Shkup i është bashkëngjitë luftës globale kundër terrorizmit islamik. E nga ana tjetër nuk arrin ta mbrojë popullin e vet nga terrori partiak që e bëjnë disa aktivistw të PDSH-së me mbulesë policore.
Ne si parti dhe shqiptarët e Maqedonisë, e kemi të qartë ku duan ta çojnë popullin bartës e këtij skenari vëllavrasës. Ne si parti ia bëjmë me dije opinionit vendor dhe atij ndërkombëtarë, se ky skenar i errët i përgatitur në kuzhinat antishqiptare dhe i përkrahur nga PDSH-ja, ka për qëllim t’i çojë shqiptarët të ndërmarrin masa vetëmbrojtëse, vetëm që të kenë arsyetim për qëllimet e tyre shkatërruese ndaj Maqedonisë. Për fat të keq, nëse dhunimet vazhdojnë me këtë intensitet, shqiptarëve nuk do u mbetet gjë tjetër vetëm të dëshmojnë se kur janë të pambrojtur nga institucionet shtetërore, ata dinë të vetëmbrohen dhe se i njohin mirë shërbëtorët shqiptarë të këtij skenari vëllavrasës.
Ne si parti dëshirojmë t’u japim mundësi dhe përkrahje institucioneve shtetërore që të dëshmojnë se mbrojnë interesat e shtetit dhe të qytetarëve, e jo ato partiake. Duam të përkrahim edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme që edhe në Maqedoninë Perëndimore të jetë efikase njësoj si atje ku jetojnë maqedonasit, e ku keqbërësit i gjen menjëherë. Por siç duket, edhe kjo ministri, të gjithë simpatizantët e BDI-së i ka vendosur në grupin e të dyshimtëve. Gjë që populli e ka lexuar dhe andaj në këto zgjedhje do dëshmojë se askush nuk mund ta frikësoj, se nuk kanë arritur ta frikësojnë as tanket e Millosheviqit e lë më revolet e alfistëve të mjerë. Me daljen e vet masovike në këto zgjedhje, votuesi shqiptar do u përgjigjet gjithë atyre që duan ta mban të heshtur me dhunë. Sado që dikush dwshiron ta frikojë, populli shqiptar e ka kuptuar se në këto zgjedhje sillet vendimi se o do çlirohet nga ata që duan të mbjellin vëllavrasjen shqiptare, o do mbeten edhe më tej i torturuar nga grupe hajdutësh të cilët janë bërw shërbëtorë të një skenari antishqiptar. Andaj, sido që të përgjigjet Ministria e Punëve të Brendshme këtyre akuzova tona, përgjigjen e vërtetë Jankullovskës dhe të mbrojturve të saj të PDSH-së do e jep populli me një qershor kur do u thotë mjaft atyre që nxisin vëllavrasjen shqiptare, kur do u thotë mjaftë hajdutëve, mjaftë atyre që për një grusht pushtet janë të gatshëm të flijojnë tërë popullin.
Me respekt,
Izet Mexhiti
<<KTHEU PRAPA |
|