LAJMET KRYESORE
   
  [10.05.2008] KONVENTA E BDI-së
 

Bashkimi Demokratik per Integrim solli fryme te re veprimi politik ne Maqedoni. Ne patem dhe kemi guxim te pergjegjshem per te bere ndryshime rrenjesore me qellim te daljes nga politika e urrejtjes, hakmarrjes dhe mosbesimit, e cila historikisht ka shkaterruar Ballkanin, per te filluar nje politike te re te pajtimit, tolerances dhe mirebesimit...

Të nderuar të pranishëm;
Anëtarë dhe simpatizant të Bashkimit Demokratik për Integrim;
Familje te dëshmorëve;
Oficerë dhe ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;
Vëllezër e motra,

Më 1 qershor 2008 në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet parlamentare të parakohshme. Ende pa u mbushur 2 vjet nga zgjedhjet e rregullta të 5 korrikut 2006, për herë të parë, më 12 prill 2008, me iniciativë të Bashkimit Demokratik për Integrim, Kuvendi  Republikan votoi vetëshpërbërjen.

Gjatë kësaj periudhe, që nga formimi i qeverisë, vendi ynë vazhdimit ishte në krizë politike. Institucionet e shtetit nuk funksiononin. Nuk dihej se cilët ministra janë në funksion e cilët në dorëheqje. Bëhej blerje deputetësh në Parlament, largim nga funksione të njerëzve të përgatitur dhe zëvendësim i tyre me ushtarë partiak. Patëm tentime për revidim të Marrëveshjes paqësore të Ohrit, aksione ndëshkimore të forcave të policisë në zonat shqiptare dhe acarim të marrëdhënieve ndëretnike. Rritje çmimesh dhe të varfërisë, asgjë nga investimet e huaja dhe rritjes së premtuar për mirëqenie sociale nuk ndodhi. Qeveria, me anë të një fushate të vazhdueshme dhe të paparë propagandistike, duke shpenzuar paratë e popullit për kampanja të shtrenjta vetëpromovuese, krijoi nëpër mediume një botë virtuale që nuk përkiste aspak me realitetin e zymtë dhe të paperspektivë të qytetarëve. Maqedonia çdo ditë e më shumë po izolohej nga Bashkësia Ndërkombëtare, rezolutat dhe vlerësimet negative nga Unioni Evropian po alarmonin vazhdimisht.
Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti e përgjegjshme me legjitimitet të popullit të vet të fituar bindshëm në zgjedhjet e 5 korrikut 2006, kur populli i dha besimin si gjithë herë qysh nga themelimi, nuk mund të lejonte shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit, izolimin ndërkombëtar të vendit tonë dhe mbylljen e perspektivës euro-atlantike për fëmijët tanë.

Mosrespektimi i votës së shqiptarëve dhe  imponimi i logjikës së majorizimit duke mohuar të drejtën bazike demokratike të popullit për të zgjedhur udhëheqjen e vet dhe realizuar aspiratat e tyre, solli deri në këtë krizë dhe mosfunksionim të institucioneve. Demokracia ka kuptim vetëm nëse qeverisja bazohet mbi pajtueshmërinë e të qeverisurve. Në Republikën e Maqedonisë ende votohet mbi baza etnike dhe respektimi i shumicës tek dy komunitetet më të mëdha garanton qeveri stabile dhe demokraci funksionale. Implementimi i plotë i Marrëveshjes  paqësore të Ohrit, respektimi i njëri-tjetrit dhe vetëdijesimi për shtetin e përbashkët është çelës i stabilitetit politik dhe të përgjithshëm të Republikës të Maqedonisë. Stabiliteti politik hap rrugën e zhvillimit të ekonomisë dhe integrimeve euro dhe euro-atlantike të vendit.

Si pasojë e legjitimitetit të cunguar të institucioneve patëm ngecje të reformave të domosdoshme për integrim në Unionin Evropian dhe NATO. Mungesa e dialogut të mirëfilltë në mes përfaqësuesve legjitim të dy komuniteteve më të mëdha në vend, pamundësoi vazhdimin e reformave dhe implementimin e mëtejmë të Marrëveshjes së Ohrit.  Pamundësia e avancimit të procesit politik dhe integrues pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të zgjedhur nga shqiptarët e Maqedonisë solli deri te Marrëveshja e Majit në mes dy partive më të mëdha, BDI dhe VMRO-DPMNE në prezencë të përfaqësuesve të SHBA-ve dhe Unionit Evropian. Kjo marrëveshje edhe u legjitimua nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe pikat e saj hynë në rezolutën e Parlamentit Evropian mbi Maqedoninë.

Si rezultat i dialogut në mes dy partive të mëdha u arrit që të sillet Ligji për komitetin për Marrëdhënie në mes Bashkësive Etnike që pamundëson manipulimet me përkatësinë etnike të deputetëve; u përpilua dhe verifikua në parlament lista e ligjeve që në të ardhmen do të sillen me votim të dyfishtë, duke konfirmuar që edhe ndryshimet eventuale në të ardhmen në Ligjet që janë votuar sipas parimit të Badinterit të bëhen me të njëjtin parim, pra me shumicën e dyfishtë.

BDI gjatë dialogut me VMRO-DPMNE prezantoi edhe projektligj për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në Maqedoni dhe për statusin legal të ish-ushtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve.

E drejta për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe buron nga përcaktimet bazë të shtetit pas Marrëveshjes së Ohrit për ndërtim të Maqedonisë multietnike, multigjuhësore dhe multikulturore. Këto përcaktime janë të inkorporuara në Kushtetutën e Maqedonisë, dhe ne përfundimisht do të institucionalizojmë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Po ashtu, do të zgjidhim statusin e ish-ushtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve, që do të kontribuojë në pajtimin e mirëfilltë ndëretnik dhe stabilizim të mëtejmë të shtetit tonë. Falë sakrificës dhe gjakut të tyre, populli shqiptar në Maqedoni ktheu dinjitetin e vet dhe u bënë ndryshimet rrënjësore në shtet. Shqiptarët e dinë dhe vlerësojnë këtë, dhe nuk do të harrojnë kurrë!

Vëllezër e motra;

Bashkimi Demokratik për Integrim solli frymë të re veprimi politik në Maqedoni. Ne patëm dhe kemi guxim të përgjegjshëm për të bërë ndryshime rrënjësore me qëllim të daljes nga politika e urrejtjes, hakmarrjes dhe mosbesimit, e cila historikisht ka shkatërruar Ballkanin, për të filluar një politikë të re të pajtimit, tolerancës dhe mirëbesimit.
Politika jonë bazohet në partneritet, në ndarje të përgjegjësisë në qeverisje për një ardhmëri më të begatë. BDI do të afirmojë fuqimisht participimin e të gjitha grupeve etnike, të gjinive dhe shoqërisë civile, si partnerë të barabartë.
Shteti multietnik, anëtarësimi në NATO dhe në Unionin Evropian dhe demokracia funksionale janë vlerat themelore të politikës së Bashkimit Demokratik për Integrim.

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO nuk ka alternativë. Ai duhet të ndodhë një orë e më parë dhe sa më shpejt t’i bashkangjitemi Shqipërisë e Kroacisë në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë që sjell siguri dhe stabilitet në rajon. Në këtë drejtim ne angazhohemi për zgjidhje të kontestit për emrin me Greqinë. Për arritjen e zgjidhjes, BDI niset nga parimet që kompromisi i pritur nuk duhet në asnjë mënyrë të cenojë karakterin multietnik të shtetit tonë, ndjenjat etnike të bashkëqytetarëve tanë dhe ndjeshmërinë e fqinjëve tanë ndaj aspektit historik, gjeografik dhe kulturor të këtij problemi.

BDI konsideron se politika e fqinjësisë së mire është shumë e rëndësishme si për stabilitetin e vendi, ashtu edhe për përgatitjen për anëtarësim të rajonit në Unionin Evropian. Ne përshëndetëm pavarësinë e Kosovës si hap e vetëm dhe i  duhur për stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë duhet të bëhet pa asnjë hezitim dhe kusht, jo pse këtë e kërkon BDI-ja dhe shqiptarët, por se është edhe në vet interesim e Maqedonisë si shtet.

Alternativa e vetme e Maqedonisë është anëtarësimi në Unionin Evropian, si vatër e paqes së qëndrueshme, lirisë dhe mirëqenies ekonomike. Ne synojmë të realizojmë vlerat e Evropës së Bashkuar, të krijojmë dhe forcojmë institucione me qeverisje demokratike, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ekonomi të lire të tregut.

Të nderuar të pranishëm,

Në duar e keni programin zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe para jush deputetët e ardhshëm që me ndihmë e të gjithë neve do ta realizojnë këtë program.


Për vitin 2008 ne simbolikisht dhe përmbajtësisht i kemi vërë vetes tetë misione:

1. Maqedonia në NATO – që do të thotë siguri për shqiptarët, për shtetin dhe rajonin;

2. Energji, Zhvillim, Punësim – që do të thotë rritje vjetore të ekonomisë me ritëm 6-8 % në vit, 100.000 vende të reja pune, ulje të kontributeve, përkrahje ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, zhvillim të bujqësisë dhe blegtorisë me sisteme modern, përhapje të teknologjive të reja te shqiptarët, urbanizim të kontrolluar, etj

3. Miqësi me Kosovën – vendosje të marrëdhënieve diplomatike, ndihmesë institucioneve të shtetit të ri, lidhje moderne infrastrukturore;

4. Partneritet, participim, përgjegjësi – ne jemi partnerë dhe jo hyzmeqarë në shtetin tonë të përbashkët, do të luftojmë dukuritë negative – korrupsionin, prostitucionin dhe do të qeverisim me përgjegjësi;

5. Pajtim ndëretnik – me respekt të kulturës, gjuhës, simboleve dhe traditave të njëri tjetrit mund të ecim përpara;

6. Komuna të zhvilluara – decentralizim të mëtutjeshëm efikas dhe më shumë mjete financiare për zhvillim të komunave, 10% të TVSH-së t`i ndahet pushtetit vendor si dhe pjesë të tatimeve në fitim dhe atij personal, etj;

7. Ballkani në Evropë – të angazhohemi për pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal, të vendosim standarde evropiane, të anëtarësohemi në Unionin Evropian gjatë mandatit të ardhshëm;

8. Rini për Ardhmëri Evropiane – me vlera të reja, të çliruar nga ngarkesat e së kaluarës, të edukuar dhe arsimuar, të shëndoshë dhe sportivë.

Zonja dhe zotërinj,
Vëllezër e motra,

Bashkimi Demokratik për Integrim ka pak fjalë dhe më shumë punë, kemi bërë shumë dhe kemi edhe shumë për të bërë.

Populli ynë di të vlerësojë dhe është i bindur se ME NE, FITIMTARË janë të gjithë !

Ju faleminderit!

<< KTHEHU PRAPA

 

 
   
PROGRAMIZGJEDHOR 2008  
   
ME NE FITIMTARË - MP3  
 
Get the Flash Player to see this player.
   
ATENTATORI  
 


 
 

FOTO TE ATENTATORIT
VIDEO E ATENTATORIT (YouTube)

 
KOLUMNA  
 
Teuta Arifi - DIVERSITET DHE PARAGJYKIME (LEXO KETU)
 
     
  Kim Mehmeti - KUSH KA PLUMBA PER TW VRARE SHQIPTARE (LEXO KETU)  
 
 
  Mahi Nesimi - GRUEVSKI S’MUND TA ANASHKALOJË VULLNETIN E SHQIPTARËVE (LEXO KETU)
 
     
NJOFTIM  
   
LINQE TJERA  
     
  Forumi Rinor BDI-Çair  
  Unioni Europian Online  
  Komisioni Zgjedhor Shtetror  
     
BARTËSIT E LISTAVE