“Me votën tuaj dhe me ju, bashkërisht do të realizojmë programin parazgjedhor dhe synimet tona”, ka theksuar kandidati për kryetar të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta në tubimin e sontëm promovues.
“Ne kemi përgatitur qindra e qindra projekte me të gjitha kriteriumet ligjore, të cilat i kërkon ligji dhe ne programin e kemi bërë duke u mbështetur në projektet të cilat na i kemi bërë, të cilat janë të pajisura me të gjitha lejet. Në bashkëpunim me deputetët, ministrat, me qeverisjen qendrore besoj se të gjitha projektet të cilat i kemi paraqitur në programin parazgjedhor për katër vjet ne do ti realizojmë, por mund të na ndodhë që puna të na ecin mbarë ashtu siç na ecën mbarë për katër vjetët e shkuara”, ka theksuar kryetari Bejta.
Ai ka theksuar se nuk do të duhet që qytetarët e kësaj komune të presin për katër vite realizimin e programit parazgjedhor, por sipas tij ato do të realizohen në mënyrë të përshpejtuar.
Shefi i shtabit komunal zgjedhor të BDI-së në Gostivar, Nexhati Jakupi ka ritheksuar potencialin dhe personalitetin e Nevzat Bejtës.
“Vetëm ne nxënësit e gjimnazit të Gostivarit, nxënësit e Nevzat Bejtës dhe aktivistët e BDI-së e dimë sekretin e sukseseve të degës së BDI-së më në krye Nevzat Bejtën. Këtu ai bashkë me ne me tërë kapacitetin e vetë intelektual, ai këtu ka udhëhequr me drejtësi, me dashuri ndaj gjithë qytetit dhe njerëzve të tij. Ai dhe njerëzit që i rrinë pranë i krahasojmë dhe tipari i tyre që mund ta dallojmë është disiplina dhe guximi, përkushtimi, sakrifica dhe qëndrueshmëria ndaj të gjitha sfidave dhe mbi të gjithat besimin në zot” ka theksuar Nexhati Jakupi, ministri aktual i ambientit jetësor.
Bartësi i listës së këshilltarëve, Iljas Ismaili ka theksuar se ai dhe grupi i këshilltarëve të BDI-së do të jenë më të zellshëm, më transparent dhe më përpjekës për të arritur rezultatet dhe suksese në realizimin e projekteve dhe përcaktimeve.
“Ky besim që do të na jepet neve që të ju përfaqësojmë juve si popullatë, do të na obligoj të jemi edhe më të zellshëm, të jemi edhe më transparent, të jemi më përpjekës dhe më punëtor, që rezultatet e arritura deri më tani në udhëheqjen e kryetarit aktual z.Nevzat Bejta ti përparojmë edhe më tej” theksoi bartësi i listës për këshilltarë Iljas Ismaili.
Ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani i pranishëm në tubimin promovues theksoi se askush për Gostivarin nuk ka bërë më shumë se BDI-ja dhe Nevzat Bejta.
“Sa herë që vijë në Gostivar befasohem, sa herë që vijë këtu shoh diçka të re, shoh një rrugë të re, shoh një park të ri, shoh një vend pushim të ri, shoh punëtor duke rikonstruar ose duke ndërtuar ndonjë objekt, shkolla të reja dhe spital të rikonstruar, që më bind se Nevzat Bejta don që ta shndërroj Gostivarin në qytet me gjitha nishanet e një qyteti modern” tha në fjalimin e tij përshëndetës ministri i Shëndetësisë Bujar Osmani.
Ministri i i Punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami ka theksuar se shqiptarët dhe qytetarët e Gostivarit nuk duhet të lejojnë eksperimente.
“Ju bëj apel që nga këtu që mos lejoni edhe ju të bëni eksperimente me qytetin tuaj, por ti mundësoni bashkë me projektet njeriut i cili vërtet ndërroj fizionominë e qytetit, njeriu i cili bëri aq shumë për këtë qytet sa që nuk bënë të tjerët për me radhë” theksoi ministri Xhelal Bajrami. Tubimin e parë parazgjedhor Dega e BDI-së në Gostivar do ta mbaj të martën në ora 13:00, në lagjen “Mëhalla e Re”.