Qeveria e Maqedonisë miratoi propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për sigurim shëndetësor, i cili të drejtën e sigurimit shëndetësor ua garanton edhe qytetarëve që nuk janë të siguruara apo nuk janë na marrëdhënie pune.
Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi më 1 qershor të këtij viti.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë Bujar Osmani, theksoi:
“Ju e dini se deri më tani një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Maqedonisë, kryesisht grupe të margjinalizuara të të gjitha etnive, qytetarë të moshës më të vjetër, qytetarë me paaftësi pune të cilët nuk mundë ti shfrytëzonin sistemin e sigurimit shëndetësor nëpërmjet Agjencisë për punësim apo nëpërmjet Fondit për sigurim shëndetësor me këto ndryshime do të fitojnë të drejtën ose bazën për sigurim shëndetësor.
Janë këto dhjetëra mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë të cilët do të fitojnë paketën bazike të shërbimeve shëndetësore, do të fitojnë të drejtën e mjekut amë, do të fitojnë të drejtën e marrjes së barnave me receta, do të fitojnë të drejtën për shërim në vendet jashtë Maqedonisë. Me këtë masë të cilën sot e solli qeveria e Maqedonisë në propozim të ministrisë së shëndetësisë krijohet një mundësi e re që të gjithë këta qytetarë, këta dhjetëra mijë qytetarë tani do të kenë të drejtat e njëjta sikurse të tjerët, ata të cilët paguajnë kontributet shëndetësore”.