Shiritin e përurimit të “Sheshit Adem Jashari” në Komunën Bajram Pasha në Turqi do ta presë kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti. Përurimi i sheshit do të bëhet të shtunën, ndërkaq që Mexhiti është ftuar nga kryetari i kësaj komune për të prerë së bashku shiritin e sheshit që mban emrin e heroit legjendar. Nga Komuna e Çairit informojnë se kryetari Izet Mexhiti i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut të tij dhe se bashkëpunimi me këtë komunë do të thellohet edhe më tej.
Pak ditë më parë Komuna e Bajram Pashës nga Turqia vendosi që sheshin e qytetit ta emëroj me emrin e komandantin legjendar Adem Jashari, vendim të cilin e bënë të ditur zyrtarë të kësaj komune. Në këtë komunë jetojnë rreth 55 për qind shqiptarë. Komuna Bajram Pasha është e njohur për ndihmat dhe aksionet humanitare që zhvillon në tërë Ballkanin me moton “Vëllazëria nuk njeh kufij”.
Gjatë aksionit të fundit të tyre humanitar, në iftarin e përbashkët në disa qytete të Maqedonisë kanë iniciuar edhe hapjen e mësimit fakultativ të gjuhës shqipe nëpër shkollat e Komunës së Bajram Pashës si dhe kanë hapur një shkollë në gjuhën shqipe, çështje që është jetësuar këtë vit.