Këshilli i Komunës së Gostivarit, mbajti seancën e 49-të, ku u diskutua për tetë pika të rendit të ditës. Me 22 vota për, asnjë kundër dhe të përmbajtur u miratua Propozim Plani për, ndryshim të Planit Detal Urbanistik bllok urban-1.
Pjesa qendrore e qytetit të Gostivarit, tanimë ka plan të ri detal urbanistik dhe qytetarëve të Gostivarit për herë të parë pas 15 viteve u mundësohet që të ndërtojnë në parcelat e veta kadastrale maksimumin e asaj që është e paraparë me standardet për planifikim urbanistik. Bëhet fjalë për hapësirë që kap sipërfaqe prej 24.62 hektar. Kjo pjesë e qytetit që nga viti 1994 nuk ka pasur asnjë ndryshim në aspektin e planifikimit, kurse qytetarët kanë qenë mjaftë të interesuar që të ndërtojnë në këtë pjesë të qytetit.
Të gjithë qytetarët e Gostivarit të cilët kanë ndërtuar objekte pa dokumentacionin e duhur në këtë pjesë të qytetit, tashmë mund që të drejtohen në Qendrën Informative të Komunës së Gostivarit dhe të fillojnë procedurën e kompletimit të dokumentacioneve për ti legalizuar objektet e tyre.
“Me dekada të tëra qytetarët e Gostivarit kanë pritur që të miratohet plani detal urbanistik numër 1, sepse është zemra e qytetit të Gostivarit. Pa miratimin e këtij plani detal urbanistik të bllokut 1, Gostivari ka qenë qytet i vdekur për shkak se qytetarët nuk kanë pasur mundësi që ti legalizojnë objektet e tyre” tha para këshilltarëve Kryetari i Komunës së Gostivarit z. Nevzat Bejta.
Edhe Në këtë seancë u miratua edhe Propozim-Llogaria Vjetore e Buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin 2008 dhe raporti për siguri publike në territorin e Komunës së Gostivarit për vitin 2008, si dhe pikat tjera të rendit të ditës. Të pranishëm në seancën e 49-të ishin edhe Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nexhati Jakupi, ish këshilltarë në këshillin e Komunës së Gostivarit dhe për herë të parë merrte pjesë edhe komandanti i Stacionit Policor në Gostivar Shuvaip Dalipi.