Kreu i Qendrës Konservatore Kulturore (QKK) Behixhduin Shehapi ka bërë të ditur se restaurimi i xhamisë “Mustafa Pasha” në Kalanë e Shkupit do të përfundojë në muajin e Ramazanit.
Ai këtë e bëri të ditur pas takimit me kryetarin e komunës së Çairit, Izet Mexhiti. Shehapi tha se deri më tani është bërë restaurimi i minares, kupola e xhamisë si dhe janë përforcuar themelet. “Ka mbetur të bëhet rikonstruimi i shatërvanit, rregullimi hortikulturor, meremetimi rrethoreve të xhamisë si dhe objekti për këshillin e xhamisë”, thotë Behixhudin Shehapi, drejtor i Qendrës Konservatore Kulturore.
”Jemi të kënaqur me informacionet që morëm në qendrën konservatore që është mbikëqyrëse e punës në xhaminë e ‘Mustafa Pashës’ që është në koordinim me Agjencinë turke ‘TIKA’ që të gjitha pengesat e së kaluarës janë tejkaluar dhe puna do të ecë në bazë të dinamikës së paraparë”, thotë kreu i Çairit, Mexhiti.
Për dekorimin e brendshëm të xhamisë do të angazhohen ekspertë nga Turqia, që xhamia të ruajë autenticitetin e saj.