Relacioni i votuesit dhe institucioneve që organizojnë zgjedhjet, relacioni mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve, ka qenë dhe gjithmonë do mbetet ai relacion i cili më së miri pasqyron shkallën e demokratizimit të një shoqërie. Të mund të zgjedhësh lirshëm dhe të kesh mundësinë të jesh i zgjedhur në konkurrencë me të tjerët, do të thotë të jetosh në shoqëri ku të është garantuar gjëja më e shenjtë mbi të cilën qëndron demokracia e një shteti – vota e lirë. Andaj, cilat do zgjedhje qofshin, parlamentare, vendore apo presidenciale, ato përfshijnë në vetvete shkallën e demokratizimit të një shoqërie. Njësoj siç pasqyrojnë edhe vetëdijen politike të një mjedisi. Dhe si të tilla, zgjedhjet nuk pasqyrojnë vetëm forcën e partive politike, por ato dëshmojnë edhe vetëdijen politike të një mjedisi dhe forcën e tërë një shoqërie.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe presidenciale, ato kanë dimension jetik për Maqedoninë e sotme. Zgjedhjet e marsit do jenë ai provimi i rëndësishëm që duhet ta jep Maqedonia, për të dëshmuar se ka pjekuri dhe forcë që të ecë përpara drejtë strukturave integruese euroatlantike. Andaj, ato nuk kanë vetëm rëndësinë e fitores së njërës apo tjetrës parti, por kanë të bëjnë me fitoren tonë të përbashkët, e cila fitore do na mundësojë të mos braktisim rrugën drejtë NATO-së dhe Evropës së Bashkuar. Kështu që, nëse ato do jenë të rregullta dhe demokratike, nga ato zgjedhje nuk do fitojnë vetëm partitë që do marrin shumicën e votës së qytetarëve të këtushëm, por të gjithë qytetarët e Maqedonisë. E nëse edhe këto zgjedhje do bartin në vete defektet e atyre të mëparshmeve, atëherë Maqedonia do prezantohet si një shtet që ende nuk ka ndërtuar kapacitete demokratike për t’u përballur me realitetin e saj. Apo, nëse nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë edhe këto zgjedhje do vlerësohen si jo të lira dhe jodemokratike, atëherë asgjë nuk do u vlejë partive të këtushme fitorja që do arrijnë. Kësaj radhe dhe këto zgjedhje, kanë kuptimin e dëshmisë së pjekurës politike të Maqedonisë dhe si të tilla, ato me shumëçka do përcaktojnë të ardhmen e këtij shteti.
Si pjesë e tërësisë demokratike në Maqedoni, edhe partitë shqiptare në këtë shtet, do duhet të bëjnë çmos që krahas fitores së vet, të ndihmojnë edhe fitoren e gjithë shqiptarëve. E cila fitore do mund të arrihet vetëm nëse në ditën e zgjedhjeve, të gjithë së bashku, do dëshmojmë pjekuri politike dhe do i shmangin provokimet dhe parregullsitë që shoqëruan zgjedhjet e mëparshme. Kuptohet, përgjegjësia për rregullsinë e zgjedhjeve, bie mbi organet shtetërore që duhet t’i zbatojnë ato, por kjo fare nuk do të thotë se një pjesë e përgjegjësisë nuk bie edhe mbi faktorët që marrin pjesë të drejtë për drejtë në zgjedhjet.
Duhet thënë hapur se populli shqiptarë në Maqedoni është lodhur nga zgjedhjet e frikshme që janë mbajtur deri më tani. Populli ynë ka nevojë të zgjedh e të votojë lirshëm, t’u drejtohet kutive të votimit pa presion partiak, pa ndjenjën se ai është pronë i partive politike, por me vetëdijen se zgjedhjet demokratike nuk shkojnë më larg se të shprehësh një përcaktim kundrejt një koncepti partiak. Pra, me vetëdijen se zgjedhjet dhe votimi, nuk janë arenë ku dalin të armiqësuarit, po skenë ku dalin të japin votën edhe miqtë që u takojnë krahëve të ndryshëm politik. Zgjedhjet par, duhet kuptuar si fushëbetejë idesh, e jo si armiqësim i taborëve partiake, e që çon drejtë përçarjes së popullit.
Zgjedhjet vendore dhe presidenciale të marsit të këtij viti, duhet kuptuar edhe si mundësi kur ne shqiptarët e Maqedonisë do mund të dëshmojmë kulturën tonë të lartë politike dhe demokratike. Kur do duhet të dëshmojmë se jo për gjithçka që ka ndodhur ne zgjedhjet e kaluara ne jemi fajtorë të vetëm. Sepse, duhet ditur edhe atë se duke iniciuar incidente nëpër vendbanimet shqiptare, qarqe të caktuara politike, duan të dëshmojnë se populli ynë shqiptar nuk ka pjekuri të duhur politike për të marrë pjesë dhe për të qenë faktorë i zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Gjë që nuk është saktë. Gjë që dëshmon se qarqe të caktuara në Maqedoni, gjatë zgjedhjeve, gjithmonë kanë nxitur incidente nëpër mjediset shqiptare, vetëm sa t’i mbulojnë defektet më të mëdha në shoqërinë e Maqedonisë.
Nëse në zgjedhjet e marsit do dëshmojmë pjekurinë e duhur për të votuar lirshëm e për të zgjedhur atë që neve na duket më i miri, ne do përcaktohemi për një të ardhme më të mirë. Dhe do dëshmojmë se incidentet nga e kaluara nuk kanë qenë pjesë e kulturës dhe vetëdijes së zgjedhësve të këtushëm shqiptar, por pjesë e skenarëve dhe lojërave të ndryshme politike, të cilat lojëra dhe skenar, jo njëherë, kanë qenë të mbështetura edhe nga pjesë të institucioneve shtetërore. Gjë që edhe i obligon institucionet shtetërore që në këto zgjedhje të bëjnë çmos që në Maqedoni të ketë zgjedhje njëstandardëshe, e jo si shumë nga ato të mëparshmet, kur një standardë zgjedhorë vlente për votuesin e etnitetit maqedonas, e tjetër për votuesit shqiptarë.
Pa dyshim, se zgjedhjet janë pasqyrë e shkallës së demokracisë së një vendi. Sepse aty ku shkelet vullneti i lirë i popullit për të zgjedhur, është shkelur e drejta më e elementare e tij që vet të zgjedh përfaqësuesit nëpër institucionet vendore dhe në ato më të lartat të shtetit. Një shtet që nuk mundet qytetarëve t’u sigurojë zgjedhje të lira dhe demokratike, ai shtet është shumë larg demokracisë së mirëfilltë dhe ai shtet nuk shkon drejtë rrugës së përparimit, por zhytet gjithnjë e më thellë në baltën e regresit të vet. Andaj, jo vetëm institucionet shtetërore, por gjithë subjektet që do marrin pjesë aktive në zgjedhjet e ardhje, duhet të bëjnë çmos që dita e votimit e 22 marsit, të jetë pasqyrë e demokracisë së Maqedonisë. Ajo të jetë ditë kur përpara vetes e përpara botës do dëshmohemi si shoqëri e pjekur për të ecë rrugës së përparimit. Në zgjedhjet e marsit, Maqedonia o do votojë për të ardhmen e ndritshme të saj, o edhe më tej do largohet nga rruga që e çon vendin drejtë Brukselit dhe NATO-së. Andaj zgjedhjet e ardhme presidenciale dhe vendore, nuk do përcaktojnë vetëm forcën dhe pozitën aktuale të partive të këtushme, por edhe atë të Maqedonisë përballë vetvetes dhe të tjerëve.
Autori është zv/kryetar i Qeverisë së RM-së