Shumë pak nga ne, është interesuar për përbërjet me vaj të transformatorëve elektrikë, por autoritetet, treguan sot se ato përmbajnë bifenile të polikloruara, dhe janë shumë të dëmshme, veçanërisht për brezin e ri, gjatë fazës së pubertetit. Bëhet fjalë për një projekt, i cili synon zëvendësimin e këtyre transformatorëve me vaj, me transformatorë të rinj.
"Nëse njerëzit janë të ekspozuar me këtë lloj përbërje kimike, ato ndikojnë negativisht në shëndetin e njerëzve. Apo thënë më thjeshtë, ato shkaktojnë pubertet të parakohshëm, vajza të cilat fitojnë menstruacione në moshën 5 vjeçare, thënë më thjesht, bëhet fjalë për ç'rregullime hormonale", deklaroi Martin Koçov drejtues i projektit.
Në bazë të projektit parashikohet që dekontaminimi i transformatorëve elektrikë që përmbajnë bifenile të polikloruara në formë të vajit, të kryhet nga EVN-në gjatë 16 vitet e ardhshme. Për realizimin e tij, Fondi Ndërkombëtar Ekologjik ka ofruar 2.7 milion dollarë.
"Në përbërje të EVN-së ka afërsisht 10 000 transformatorë të këtij lloji por që nuk do të thotë se të gjithë janë të kontaminuar. Demonstrimin që patë para ishte një mënyrë e detektimit të transformatorëve nëse janë të kontaminuar me kësi lloj vajrash", tha Nexhati Jakupi, ministër i Ekologjisë.
"Në këtë projekt ne marrin pjesë me 400 000 euro të cilat përbëjnë 22 % nga fondi i përgjithshëm”, theksoi Georg Valdner, drejtor i përgjithshëm i EVN-Maqedoni.
Ministria e Ekologjisë në bashkëpunim me EVN-në kanë shkatërruar mbi 30 tonë mbetje me përmbajtje bifenile të polikloruara në kondensatorët e tensionit të ulët në rrjetin e distribuimit.