Mes shtatë kandidatëve në zgjedhjet presidenciale të 22 marsit në Maqedoni, tre do të jenë shqiptarë. Agron Buxhaku i Bashkimit Demokratik për Integrim, MirusheHoxha e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Imer Selmani nga Demokracia e Re.
Muajin e kaluar, gjatë një qëndrimi në Kosovë, politikani më i votuar shqiptar atje Ali Ahmeti tha se shpresonte në ditën kur një shqiptar do të mund të ishte Presidenti Maqedonisë. Në zgjedhjet e vitit 2004, në mesin e katër kandidatëve në garë
ishin edhe Gëzim Ostreni i BDI-së që mori 14.8 për qind të votave dhe Zudi Xhelili i PDSH-së me 8.6 për qind. Nga pala maqedonase Branko Crvenkovski kishte fituar 42.5 për qind ndërsa Sasko Kedev 34.1 për qind.
Imagjinoni në këto zgjedhje vetëm një kandidat shqiptar duke garuar kundër katër atyre maqedonas! Gjasat për të hyrë në balotazh do të kishin qenë vërtet realiste. Nëse do të kishte ndodhur, do të reflektoj një bum politik në shtetin fqinjë ku shqiptarët ende
ballafaqohen me luftën e fitimit të të drejtave elementare si shtetformues.Por përse dalja e shqiptarëve me vetëm një kandidat është e pamundshme?
"Do të kishte qenë mirë të merremi vesh", thotë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për Express. "Do të ishte një vullnet mjaft i pranueshëm nga shumica e shqiptarëve". Konsensusi, megjithatë, ka dalë i pamundshëm. Ndoshta nuk ka pasur as nismë për ta realizuar. "Nga e këndshmja deri te e arritshmja ka goxha një rrugë", shprehet Ahmeti. "Ka disa rrethana, zhvillime të reja në Maqedoni dhe situata ishte e pavolitshme për një kandidat konsensual të shqiptarëve. Sepse, partitë kanë edhe qëllimet e tyre".
"Vetëm se", shtoi Ahmeti, "ne do të punojmë maksimalisht që kandidati i BDI-së për kandidat të mundshëm për President të arrijë të kalojë në balotazh. Do të ishte një e arritur mjaftë e madhe për shqiptare në Maqedoni". Në të njëjtën ditë në Maqedoni zhvillohen edhe zgjedhjet lokale. Partneri shqiptar në Qeverinë e shtetit fqinj, në nivelin qendror, beson se do të marrë bekimin e votuesve pasi shprehet i bindur se BDI pritet mirë nga elektorati.
Çfarë emri për Maqedoninë?
Një kandidaturë e fortë shqiptare për President do ta kishte të pamundshme të fitonte, por padyshim se do të promovonte më së miri interesat e komunitetit shqiptar atje. Pyetja do të shtrohej menjëherë a do të mundej një shqiptar ta mbante postin më të lartë në Maqedoni dhe debati do të mund të reflektohej pozitivisht në integrimin e etniteteve.
Ali Ahmeti mban dy vija. Sipas njërës, shqiptarët në Maqedoni po bëhen pjesë e shtetit pasi po futen në administratë, është nxjerrë ligji për përdorimin e shqipes në institucione, është arritur pajtim për respektimin e figurave shqiptare nga historia përfshirë atyre nga kryengritja e vitit 2001.Sipas linjës tjetër shqiptarët ende ballafaqohem me situata tepër "të rëndësishme kombëtare" si avancimi i mëtejmë i përdorimit të gjuhës shqipe, simbolet etj. Përcaktimi i emrit Maqedonisë është një proces i pakthyeshëm dhe që do të peshojë fuqishëm këto dy linja.
Ahmeti thotë se shqiptarët përjashtojnë mundësinë që Maqedonia të marrë ndonjë emërtim që do të ishte në kundërshtim të qëndrimit të shqiptarëve. "Për shembull do të ishte e papranueshme për ne që të quhet Republika Sllave e Maqedonisë ose Republika Kombëtare e Maqedonisë", është shprehur ai.
Ka pasur propozime të ndryshme siç ishte Maqedonia e Veriut apo Republika e Maqedonisë- Shkupi. Shqiptarët janë ftuar për të qenë pjesë e debatit disa herë nga lidershipi maqedonas. z.Ahmeti thotë se u takon vet maqedonasve të merren me debatin e tyre të brendshëm se a kanë prejardhje nga maqedonasit antikë, apo kanë origjinë sllave.
"As ne nuk do të dëshironim që dikush të luaj me origjinën dhe fatin e shqiptarëve apo kontestimi i figura të rëndësishme si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Nëna Terezë", shprehet Ahmeti. "Të gjitha partitë politike shqiptare do të pranonin një zgjidhje të pranueshme nga bashkëqytetarët tanë maqedonas me Greqinë". Ai beson se kjo çështje nuk është aq e madhe sa të ndikojë në rishfaqjen e tezës së ndarjes së Maqedonisë. "Nuk duhet të kthehemi prapa dhe të mendojmë e të paraqesim hapa të rinj se si duhet të jetë Ballkani si do të duket Ballkani në të ardhmen, sepse ndarjet nuk mendoj se janë pa pasoja", thotë Ahmeti. "Këto çështje i kemi mbyllur në vitin 2001. Ky koncept për ne është i gabueshëm dhe me rreziqe të mëdha".
Marrëdhëniet më të afërta me Haradinajn
Një komunitet i fuqishëm shqiptar në Maqedoni do të ishte në interes strategjik të Shqipërisë dhe Kosovës.
Por, të paktën sa i përket Kosovës, raportet mes partive politike me ato të shqiptarëve në Maqedoni kanë qenë shumë të luhatshme tradicionalisht.
Një kohë pas luftës tek ne, PDK e Hashim Thaçit ishte shumë e afërt me PDSH'në e atëherë Arbën Xhaferit e cila kishte ndihmuar fuqimisht UÇK-në dhe që dyshohet se kanë pasur edhe afërsi nga fusha e ndikimit të biznesit.
Ali Ahmeti, njëri nga themeluesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në vitin 2000, normalisht ka qenë i afërt me Ramush Haradinajn dhe madje gjatë qeverisjes LDK-AAK një kompani e afërt me të kishte fituar një tender për rregullimin e pistës së Aeroportit të Prishtinës.
Gjërat janë ndryshe prej vitit 2008. Menduh Thaçi i PDSH-së kishte bojkotuar një takim të ftuar nga Kryeministri kosovar kohë më parë ndërsa kishte mbajtur fjalim në një kuvend të AAK-së në fund të vitit 2008.
Ndërsa kur erdhi në Kosovë, në muajin janar, Ali Ahmeti u takua vetëm me liderët institucionalë dhe bëri një deklaratë në të cilën ndër të tjera tha "...Kryeministri
Thaçi ka vënë interesat e Kosovës përpara atyre partiake". Takimi në Prishtinë u pasua me një takim pothuajse të menjëhershëm në fillim të shkurtit në Shkup.Cili është interpretimi i Ali Ahmetit?
"Vizitën time të parafundit e kam pasur para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dy javë përpara shpalljes", thotë Ahmeti.
"Që nga ajo kohë unë nuk kam bërë asnjë vizitë të nivelit zyrtar në Kosovë, nuk kam dashur të vijë para se Kosova të njihej nga shteti fqinjë - Republika e Maqedonisë".
"Sa i takon takimit të fundit në Shkup, ka qenë privat", vazhdon Ahmeti. "Z.Thaçi për çështje të veta ishte në vizitë në Shkup dhe kemi ngrënë drekë të përbashkët, me disa miq të tjerë, me karakter privat. Natyrisht edhe në këso takime nuk mund të mos diskutohet edhe për çështje, projekte, programe". Ai insiston se ka marrëdhënie të mira me të gjitha partitë politike në Shqipëri dhe Kosovë. "Marrëdhëniet e mia me z.Hashim Thaçi asnjëherë nuk kanë qenë të ashpërsuara. Asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë armiqësi", shton ai. "Sigurisht që unë në lidhje shumë më të afërt familjare kam qenë me z.Haradinaj për shkak të rrethanave të së kaluarës". Por përse ai nuk u takua me Haradinajn në vizitën në Kosovë? "Kam pasur vetëm vizitë institucioneve të Kosovës - Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetarit të Parlamentit", është përgjigjur Ahmeti. Ai thotë se edhe në Kuvendin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ku kishte qenë prezent Menduh Thaçi kishte qenë i ftuar por e kishte njoftuar Haradinajn se nuk mund të merrte pjesë për shkak të takimeve tjera. "Fundi i fundit, dihet mirë që unë kam marrë pjesë në themelimin e AAK'së dhe nuk kam asnjë dilemë se marrëdhëniet tona janë shumë të mira", ka thënë Ahmeti.
www.gazetaexpress.com