Vëllezër e motra
Qytetarë të Tetovës dhe të gjitha viseve shqiptare anë e kend Maqedonisë.
I nderuari zoti komandant Ali Ahmeti,
Kemi ardhur këtu bashkë me Ju për të protestuar kundër dhunës dhe terrorit që struktura të MPB-së bashkë me kriminelë dhe banditë të mbështetur nga krerët e PDSH-së tash disa ditë po ushtrojnë kundër popullit shqiptar.
Atentati i djeshëm kundër komandantit tonë z. Ali Ahmeti, dëshmoi se deri ku mund të shkojë cmenduria e strukturave kriminale të instaluar brenda në shtet.
Djegja, thyerja, granatimi i shtabeve zgjedhore të BDI-së, heqja dhe shkatërrimi i flamujve partiakë, kërcënimi dhe sulmet kundër veprimtarëve shqiptarë, si duket ishte paralajmërimi i asaj që ndodhi në Rakovec.
Të ngresh dorë mbi komandantin e Ushtrisë Clirimtare Kombetare nuk është sulm vetëm mbi jetën e Ali Ahmetit, nuk është vetëm atentat mbi kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, por kjo dorë vrastare deshi të godet nderin dhe krenarinë tonë, dinjitetin e të gjithë luftarëve dhe idealin e të gjithë dëshmorëvë.
Atë që nuk arriti ta bëjë i huaji tash po përpiqet ta realizojë nëpërmjet dorës së kriminelëvë shqiptarë.
Nga ky shesh dhe nga ky tubim, i porosisim të gjitha kokat e cmendura, të gjitha strukturat e involvuara në këtë valle vëllavrasëse se e kanë kot, nuk i kanë bërë hesapet mirë dhe nuk do të arrijnë të realizojnë këtë skenar antishqiptar.
Ne, shokët e Ali Ahmetit, ish – ushtarët e UCK-së, nuk jemi frikësuar dhe nuk do të gjunjëzohemi para asnjë hajduti dhe keqbërësi, para asnjë banditi e krimineli sado i mbrojtur e i mbështetur të jetë ai, qoftë nga udhëheqës partiakë, qoftë nga zyrtarë të MPB-së.
Nga ky tubim dhe nga ky vend i porosisim kokat e këtij skenari antishqiptar, le të heqin dorë nga kjo rrugë se shqiptarët nuk janë pa të zot, populli ynë di se kë të votojë e kë të dënojë, populli ynë e ka dëshmuar gjatë historisë se kur është në pyetje dinjiteti, krenaria, burrëria, nderi e liria gjithmonë ka ditur të rreshtohen drejt, të vihen në mbrojtje të vlerave të mirëfillta kombëtare dhe të distancohet nga e keqja.
Duke dëshmuar vendosmërinë tonë, përkushtimin për zgjedhje të drejta, të lira, fer dhe demokratike po e përsërisim edhe një herë se ne nuk jemi dhe nuk do të jemi asnjeherë pjesë e luftës vëllavrasëse që po përpiqen të imponojnë. Ne nuk kemi plumba për shqiptarë sado të këqinj të jenë ata, ne nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi kurrë pjesë e terrorit dhe dhunës brendashqiptare.
Duke u distancuar dhe duke e dënuar këtë tradhëti që po imponohet nga struktura shtetërore dhe krerë të kriminalizuar të PDSH-së ne, ish – ushtarët e pjesës së Sharrit të Tetovës, ftojmë I ftojmë të gjithë bashkëluftëtarët tonë, gjithë popullin tonë liridashës që më 1 qershor me votën e shenjtë dhe të shtrenjtë të dënojmë këta që janë e keqja si e vetes, ashtu edhe e mbarë popullit shqiptar.
Ju ftojmë që ta ruani gjakftohtësinë, të ruani qetësinë dhe dinjitetin dhe ditën e votimit të manifestoni përcaktimin dhe përkushtimin tuaj për nder, dinjitet, paqe, stabilitet dhe perspektivë evropiane për të gjithë ne dhe fëmijtë tanë.
Një grup ushtarësh nga Malësia e Sharrit të Tetovës
<<KTHEHU PRAPA
|