NENTORI I FESTAVE TONA

Nëntori është muaji i kremteve tona, muaji kur rikujtojmë atë që ka ndodhur në të kaluarën dhe kur duhet të përqendrohemi në projektet që na presin për të ardhmen. Edhe ne shqiptarët e Maqedonisë, kremtuan ditët e shënuara të së kaluarës sonë, e aq më shumë ishim nikoqirë të 100 vjetorit të ditës së mbajtjes së Kongresit të Alfabetit në Manastir. Ne i pritëm dhe i përcollëm bashkëkombësit tanë nga Shqipëria dhe Kosova duke u dëshmuar se jemi rojtarë të denjë të së kaluarës sonë që ka ndodhur në këto treva. Ne pritëm dhe përcollëm edhe bashkëqytetarët tanë maqedonas, të cilëve edhe një herë u dëshmuam se kultura dhe identiteti shqiptarë, vetëm e pasurojnë, e nuk e dëmtojnë me asgjë Maqedoninë e përbashkët. Të cilëve u dëshmuam se Shtëpia e Alfabetit në Manastir shënon të kaluarën e të sotmen shumetnike, shumëkulturore e shumëgjuhësore të Maqedonisë. Andaj, si e tillë, kjo Shtëpi është simbol i së kaluarës, simbol që na ndihmon më lehtë të ndriçojmë rrugën e përbashkët drejtë të ardhmes tonë. Rrugë e cila mund të ecet suksesshëm vetëm nëse e kuptojmë se edhe sukseset edhe dështimet eventuale, do përcaktojnë fatin e çdo etnitetit që jeton në këtë Maqedoni, e cila si udhëkryq i Ballkanit, natyrshëm është edhe përzierja kulturash e traditash të shumë popujve që janë pjesë e këtij gadishulli, e që kanë thurur një të kaluar të pasur dhe do kenë të ardhme të atillë siç do arrijnë ta ndërtojmë.

Kremtimi i 100 vjetorit të ditës së mbajtjes së kongresit të Alfabetit në Manastir, edhe një herë na rikujtoi atë se për një popull, gjuha është pasuria më e madhe e një populli. Nëse gjuha është ajo arkë që ruan shpirtin e një populli, atëherë alfabeti i asaj gjuhe është çelësi që mbyll dhe hap arkën e pasurisë shpirtërore të një populli. Andaj, sot kur me mburrje kremtojmë njëqind vjetorin e Mbajtjes së Kongresit të Alfabetit në Manastir, ne rikujtojmë edhe udhën që duhej të ecet deri sa u arrit dita kur tridhjetegjashtë tingujt, u bënë çelësi që do ruante e do unifikonte gjuhën tonë amtare. Pra, ne sot rikujtojmë edhe shekujt kur gjuha shqipe ishte një, por alfabetet në të cilat ajo shkruhej ishin më shumë. Gjë që dëmtonte pasurinë tonë shpirtërore dhe që çonte drejtë rrugës që të kuptohemi kur flasim, e të mos mund ta lexojmë njëri tjetrin kur shkruajmë.

Kongresi i Manastirit është nga ato ngjarje që ndërlidhen ngushtë me gjetjen e rrugëve që një popull të mbijetojë, e të ruaj identitetin e vet. Kështu që, 36 tinguj e alfabetit tonë, janë tingujt e mbijetesës sonë. E ata që sollën këtë vendim, këtu në Manastir, para një shekulli të tërë,sa ishin vizionarët, po aq edhe të përgjegjshëm dhe të guximshëm. Sepse vetëm si të tillë, ata mund të sillnin këtë vendim që përcaktonte fatin e gjuhës shqipe, vetëm si të tillë ata mund të parashikonin se këto 36 shkronja janë ato që ruajnë më bindshëm jehonën e gjuhës shqipe edhe kur ajo fletë e shkruar.

Në nëntor të vitit 1908, në po këtë Manastir , Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qirijazi, Ndre Mjeda, Gligor Cilka, Dhimitri Buda, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Bajo Topulli e Nyz’het Bej Vrioni, morën për sipër të unifikonin alfabetin e gjuhës shqipe. Po në këtë Manastir, para një shekulli, 36 tingujt që njohim sot, u bënë pronë e gjuhës shqipe. Dhe plotë një shekull këto zanore dhe bashkëtingëllore të alfabetit tonë, janë pjesë e identitetit shqiptarë kombëtarë dhe janë letërnjoftim i gjuhës sonë të unifikuar letrare.

Sot kur shënojmë njëqind vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Alfabetit në Manastir, ne duhet të rikujtojmë edhe rrugën që ecën shqiptarët deri te unifikimi i abecedes së vet, edhe ecjen shekullore që ky alfabet dhe kjo gjuhë të mbrohet nga ata që duke dashur të dëmtonin pjesë të popullit tonë, donin atë ta linin pa gjuhë letrare dhe pa alfabet të vetin. Duhet të rikujtojmë se ne mbijetuam mbi të gjitha shkaku se ia dolëm të mbronin gjuhën dhe tridhjetegjashtë tingujt e alfabetit tonë. Pa të cilën gjuhë dhe pa të cilat tinguj, do mbeteshim popull i heshtur, popull që nuk do kishte me çka ta shkruante të kaluarën e vet, e ta hartonte ardhmërinë.

Pas njëqind vjetësh unifikim të alfabetit, e kemi më lehtë ta lexojmë të kaluarën tonë dhe t’i hartojmë planet për të ardhmen. Pas një shekulli unifikim të alfabetit, ne shumëçka e kemi më lehtë se ata pishtarë të kombit të cilët flijuan çdo gjë që mos mbetemi popull me gjuhë të njëjtë që shkruhet me alfabete të ndryshëm. Andaj, sot kur përkujtojmë punën vetëflijuese të tyre, ne duhet të përmendim edhe të vërtetën se një popull vlen aq sa dinë t’i kultivojë vlerat e veta. E për ne, nuk ka vlerë më të lartë se gjuha jonë e unifikuar letrare dhe alfabeti ynë latin. Gjuhë e cila nuk ka të ngjashme në këtë planet, po na ka neve që ajo na bënë të jemi të njëjtë dhe të vetnjihemi si përkatës të një trungu etnik. Pra, sot duhet të shohim më qartë se kemi një letërnjoftim që më bindshëm se cili do tjetër, na identifikon përpara vetes dhe botës. E ai letërnjoftim është gjuha jonë letrare dhe alfabeti i saj.

Nuk ka dyshim se gjuha është ai thesar që ruan pasurinë shpirtërore të një populli. Alfabeti i një gjuhe është çelësi që hap e mbyll atë thesar. Kur kremtojmë njëqindvjetorin e mbajtjes së Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, ne duhet të dëshmojmë se jemi të denjë të ruajmë këtë thesar dhe këtë çelës nga më të shenjtit që kemi. Andaj edhe kremtimi i kësaj dite nuk është vetëm rikujtim i asaj që bënë pishtarët e kombit tonë, por edhe ndërmendje se gjuha dhe alfabeti i gjuhës sonë, janë pasuria më e madhe që kemi. Andaj, ndaj kësaj pasurie duhet të sillemi si pronar që u është dhënë diçka që u takon gjeneratave të ardhshme. Pra ndaj gjuhës dhe alfabetit tonë duhet të sillemi si ata që sollën vendimin në Kongresin e Manastirit: ta ruajmë për ata që do vijnë pas nesh. Me çka do mundësojmë që gjithmonë të komunikojnë mes veti e kaluara dhe e ardhmja jonë.

 

Autori është zv/kryetar i Qeverisë së RM-së



 
   
   
     
     
 
ANALIZA:
[24.02.2009]
TE VOTOJME PER ARDHMERINE
  Shkruan:
[21.01.2009] Zgjedhje pa media!?
  Shkruan:Vait AJRO
[14.01.2009] KUFIJTE QE BASHKOJNE
  Shkruan:Abdilaqim ADEMI
[16.12.2008] INVESTIM PER TE ARDHMEN TONE
  Shkruan:Abdilaqim ADEMI
[02.12.2008] NENTORI I FESTAVE TONA
  Shkruan:Abdilaqim Ademi
[11.11.2008] E MUNDSHMJA DHE E DESHIRUARA
  Shkruan:
[10.11.2008] OBAMA, PERFAQESUES I AMERIKES SE SOTME DHE BOTES SE ARDHSHME
  Shkruan:
[03.10.2008] TAKIM I LIDERIT TE BDI-se AHMETI ME AMBASADORIN E SHBA-ve REEKER
  Shkruan:
[24.07.2008] PDSH AS NE TOKE AS NE QIELL
  Shkruan:Daut Dauti
[14.07.2008] KUSH E “PUTINIZOI” GRUEVSKIN
  Shkruan:Milazim Krasniqi
[19.06.2008] NE DHE TE TJERET
  Shkruan:Teuta Arifi
[10.06.2008] MPOSHTJA E DEMOKRACISE
  Shkruan:Teuta Arifi
[06.06.2008] Festa e Vampirëve
  Shkruan:Vullnet Ameti
[25.05.2008] Studentët duhet dashur – jo rrahur
  Shkruan:Mahi Nesimi
[21.05.2008] PLUMBA DHE KESHILLTARE
  Shkruan:Teuta Arifi
[19.05.2008] Misioni me shumë pikëpyetje i Bugajskit
  Shkruan:Naser Elmazi
[14.05.2008] GRUEVSKI S’MUND TA ANASHKALOJË VULLNETIN E SHQIPTARËVE
  Shkruan:Mahi Nesimi
[14.05.2008] KUSH KA PLUMBA PER TE VRARE SHQIPTARE
  Shkruan:Kim Mehmeti
[12.05.2008] DIVERSITET DHE PARAGJYKIME
  Shkruan:Teuta Arifi
[08.05.2008] ZGJEDHJE
  Shkruan:Teuta Arifi
[07.05.2008] A KANE DILEMA PDSH DHE THAÇI PER PAVARESINE E KOSOVES?
  Shkruan:Isen Saliu
 
 
Pas 15 viteve pjesa qendrore e Gostivarit me plan te ri detal urbanistik
MOJSIU VIZITON MOMUMENTET SHQIPTARE NE SHKUP
Fjalim i Zevendes-kryetarit te Qeverise se RM-se z. Abdilaqim Ademi ne Forumin nderkombetar organizuar nga Fondacioni Boris Trajkovski me teme: Vlerat tona te perbashketa
Ministri Bajrami merr pjese ne konferencen Investimi ne kohezionin social
Ish drejtori i Poletit i arrestuar dite me pare nuk ka qene keshilltar i kryetarit te Tetoves
RESTAURIMI I XHAMISE MUSTAFA PASHA PARA RAMAZANIT

ALI AHMETI TAKOI ALFRED MOJSIUN

kongresi i manastirit


 
 
 
 
EMRI JUAJ:


PYETJA:


www.bdi.org.mk
Copyright © 2007 BDI Bashkimi Demokratik për Integrim!All rights reserved.
 
Site Meter