E mundshmja dhe e dëshiruara, ngandonjëherë qëndrojnë më larg njëra tjetrës se njëqind ditë qeverisjeje. Andaj edhe vlerësimet e njëqind ditëve qeverisjeje të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI duhet të shikohet nga këndi sa është realizuar e mundshmja, e jo vetëm ajo që dëshirojmë të gjithë ne. Apo thënë ndryshe: bosht i jetës janë dëshirat, mirëpo e tërë jeta qëndron mbi shtyllat e të mundshmes. Kështu që njeriu duhet të mësohet të dëshirojë, por të respektoj realitetin e të mundshmen që mund të realizojë. Andaj shikuar nga këndi i ambicieve të shqiptarëve të Maqedonisë, njëqindëditëshi i bashkëqeverisjes sonë është më i frytshmi i dy viteve të fundit. Është më i frytshëm sepse atë që dikush nuk arriti ta realizojë për 18 muaj bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE, ne si BDI ia dolëm ta realizonim për njëqind ditët tona në pushtet.
Kuptohet, ka mundur të bëhet edhe më shumë. Siç ka mundur të jetë edhe më pakë, apo aq pak sa bënë disa tjerë shumë gjatë tetëmbëdhjetë muajve qeverisjeje. Ne bëmë të mundshmen, duke i dëshmuar partnerit tonë në koalicionin qeveritarë se ajo e mundshme është në dobi të Maqedonisë, e jo vetëm në dobi të shqiptarëve. Pra, ne u dëshmuam kolegëve tanë maqedonas në qeveri, se pranimi i Kosovës si shtet i pavarur, është interes i tërë Maqedonisë, e jo vetëm i shqiptarëve në të. Ne bindëm partnerët tanë në qeveri, se sjellja e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, ndihmon harmonizimin e marrëdhëniet ndëretnik. Pastaj arritëm t’i bindim partnerët tanë në qeverinë e Maqedonisë, se punësimi i drejtë i shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, do ndihmojë që edhe shqiptarët ato institucione shtetërore t'i ndjenë si të vetët. Ne bindëm partnerin e koalicionit qeveritarë se shënimi i njëqind vjetorit i mbajtjes së Kongresit të Alfabetit në Manastir, është vlerë historike e këtyre hapësirave, andaj edhe duhet manifestimi qendrorë i këtij përvjetori të mbahet në Maqedoni.
Kështu, duke dialoguar me partnerët tanë qeveritarë, ne arritëm rezultate që janë të rëndësishme sa për shqiptarët po aq edhe për tërë Maqedoninë. Dhe ia dolëm që për njëqind ditë të realizojmë njohjen e pavarësisë së Kosovës, të sjellim Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, të shpallim dy konkurse për punësimin e 570 shqiptarëve në institucionet shtetërore, ia dolëm që dita e njëqindvjetorit të mbajtjes së Kongresit të Alfabetit në Manastir, të merr karakter shtetërorë. Të gjitha këto rezultate, janë vetëm disa nga më të dukshmit, që mbulojnë të shumtat që nuk janë të kësaj peshe, e që gjithashtu plotësojnë mozaikun e sukseseve të arritura gjatë njëqinditëshit të parë të kësaj qeverie ku bënë pjesë edhe BDI-ja.
Por duhet ritheksuar: ka mundur të bëhet më shumë. Dhe do bëhej më shumë sikur qeveritarët shqiptarë që ishin para nesh në koalicionin qeveritarë, të kishin trasuar rrugë të qarta për realizim sa më të shpejt të të drejtave dhe ambicieve shqiptare, të cilat duhet të jenë edhe ambicie të këtij shteti. Por, ne që ditën kur erdhëm në qeveri e dinim se nuk jemi këtu që të arsyetohemi me atë çka nuk kanë bë të tjerët, por të shpalosim përpara popullit çka kemi bë ne. Përpos njohjes së Kosovës, sjelljes së ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, përpos konkurseve të shpallur ku do punësohen qindra shqiptarë të ri, përveç se bëmë çmos që njëqind vjetori i Kongresit të Manastirit të shënohet ashtu siç i ka hije një manifestim mbarëkombëtarë, ne ia dolëm që të krijojmë kushte teknike për realizimin e ligjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve. Kështu që, pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, në Kuvendin e Maqedonisë u punësuan 20 përkthyes. Që të mos përsëriten gabimet nga e kaluara, e të sillen ligje thuajse sa për sy e faqe, të sillen ligje që mbeten vetëm në letër e kurrë nuk zbatohen.
Përderisa tjerët me të drejtë pyesin se ç’kemi bërë gjatë këtyre njëqind ditëve qeverisjeje, përderisa ka të kënaqur e të pakënaqur nga ajo që kemi bërë, ne jemi të angazhuar ta përdorim sa më mirë potencialin njerëzorë, duam të krijojmë një profesionalizëm sa më të madh duke e mbështetur atë edhe në krijimin e kushteve materiale dhe teknike. Andaj, Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes Korrnizë, si organ më i lartë i Qeverisë, i angazhuar për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, do bëjë një analizë përmbajtësore për nivelin e deritanishëm të implementimit të kësaj marrëveshjeje. Analizë që do pasqyrojë realisht atë që është arritur deri më tani, analizë nga e cila do shohim ku ngecin punët, pse ngecin dhe çfarë mund të ndërmerret, analizë që do përfshijë mbarë spektrin e organizimit të shoqërisë, duke u nisur nga rregullimi shtetëror, e deri te sferat e jetës së përditshme.
Gjatë njëqind ditëve bashkëqeverisje me partnerin maqedonas, BDI-së i ra në hise të punoj paralelisht edhe në zbutjen e tensionit politik në shoqërinë shqiptare. Pra, BDI-së iu deshtë të dëshmojë se asaj nuk i nevojitet pjesëmarrje në qeveri në llogari të ndasive të egra ndërpartiake shqiptare. Që ta dëshmojnë këtë, qeveritarët e BDI-së bënë të mundshmen që të mos ketë revanshizëm partiak, që kuadrot e punësuar nga PDSH-ja të mbeten në vendet e tyre të punës dhe të mbështeten mbi vlerat personale e jo mbi shtabet partiake. Ne edhe me tej do vazhdojmë rrugës së profesionalizimit, e jo të partizimit të institucioneve shtetërore. Ne do bëjmë çmos që kuadrot shqiptarë në administratën shtetërore, të jenë të “dëgjueshmit” e kërkesave profesionale, e jo të partive. Pra, duam që nga shqiptarët e punësuar nëpër institucionet shtetërore të shlyejmë njollën se ata të vetmen vlerë që kanë, është libreza partiake.
E dëshiruara dhe e mundshmja, ngandonjëherë janë aq të largëta mes veti sa nevojiten muaj edhe vite që të pushtohet ajo hapësirë. Ne jemi të përkushtuar që gjitha dëshirat dhe ambiciet reale të shqiptarëve të Maqedonisë, si edhe të të gjithë qytetarëve të këtij shteti, të realizohen. Dhe sikur mos besonim se këtë do e arrijmë, nuk do kishte kuptim pjesëmarrja jonë në kabinetet qeveritare. Këtë do e arrijmë jo se ne jemi të fortë, por pse shqiptarët dhe qytetarët e Maqedonisë kanë potencial ta çojnë këtë shtet drejtë një të ardhme më të mirë. Ta çojnë drejtë një të nesërme evro-atlantike. E për ta arritur atë cak, Maqedonia do duhet të bëhet shtet i qytetarëve të barabartë, do duhet brenda këtij mandati qeveritarë të vazhdohet me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që më tej të vazhdojmë realizimin e "marrëveshjes" ndërqytetare për një Maqedoni me standarde evropiane. Për një Maqedoni anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
(Autori është zëvendës kryeministër në Qeverinë e Maqedonisë)