Fitorja e Barak Husein Obamës në zgjedhjet për presidentin e 44 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një moment historik jo vetëm për SHBA-të por për gjithë botën. Më 4 nëntor 2008, populli amerikan zgjodhi një afro-amerikan për prijës të vetin për katër vitet e ardhshme. Aq sa ishte një zgjedhje e paimagjinueshme vetëm disa dekada më parë, po aq të mëdha dhe komplekse janë sfidat që presin presidentin e zgjedhur. Aq sa politika dhe vendimet e Barak Obames do të ndikojnë në jetën dhe ardhmërinë e banorëve të Amerikës, po aq pozicionimi i SHBA-ve ne kompleksitetin e periudhës tranzicionale pas luftës së ftohtë për në rendin e ri botëror në krijim do të ndikojë në jetën dhe ardhmërinë e njerëzve në tërë rruzullin tokësor.
Amerika dëshmoi se me të vërtetë është vendi i mundësive, “land of opportunities”, se është shembull dhe lider i lirisë dhe demokracisë, se është e gatshme të prin botën në një moment të rëndësishëm historik, kur njerëzimi ka arritur shkallën e zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë që mund të sjell deri në një mirëqenie të pa precedent, por edhe që mund të çon deri në shkatërrim të tij, jo vetëm nga aspekti i kataklizmës nukleare por edhe biologjike, të planetit. Obama, jo vetëm si demokrat, jo vetëm si njeriu i parë i shtetit më të fuqishëm në botë, jo vetëm për nga ngjyra e lëkurës dhe prejardhja, por nga vizioni dhe guximi, nga idetë dhe lidershipi karizmatik, është personi i cili mundet dhe do të ndryshojë Amerikën dhe botën – “yes we can” dhe “change” ishin sloganet kryesore të fushatës së tij. Barak Obama me zgjedhjen si president beri hyrjen në historinë e Amerikës, me veprat e tij do të mund të radhitet krahas Abraham Linkolnit dhe Xhon Kenediut, Ruzvelltit dhe Reganit, presidentë të Amerikës të cilët jo vetëm që ndryshuan Amerikën por edhe botën.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Amerika” ne fjalorin dhe imagjinatën e njerëzve anembanë rruzullit tokësor, gjatë kohë asoconin me mundësi, pasuri, liri. Për shekuj me radhë, mijëra, dhjetëra e qindra mijë njerëz nga të katër anët e botës, të të gjitha racave dhe prejardhjeve, feve dhe traditave, legalisht e ilegalisht emigruan në Kontinentin e ri. Braktisën vendlindjet e tyre, vatrat e tyre, ngase ishin të ndjekur, përndjekur dhe persekutuar për shkak të fesë së tyre, etnicitetit apo ideologjisë. Shumë emigronin ngaqë në vendlindje mbizotëronte varfëria, të tjerët nga shpirti aventuresk, për tu pasuruar. Një numër i konsiderueshëm të të ardhurve ishin me të njëjtën ngjyrë dhe prejardhje si i ati i Barak Obamës, të cilët erdhën në pranga, si skllevër. Ishte Abraham Linkoln ai që pas një lufte qytetare ndaloi skllavërinë, ishin shumica e Amerikanëve, të të gjitha racave, që zgjodhën Obamën për President. Ndërkohë kaluan gati një shekull e gjysmë, por ja që Amerika arriti pas shumë peripecive të aplikojë në tërësi parimin e barazisë për të gjithë dhe të hedh poshtë një ndër argumentet kryesore të anti-amerikanëve të të gjithë ngjyrave dhe ideologjive për të sulmuar dhe nënvlerësuar lirinë dhe barazinë e Amerikanëve.
Me zhvillim dhe avancim të paparë, SHBA-të arritën që pas luftës së parë botërore të bëhen shteti më i pasur në botë, ndërsa pas luftës së ftohtë dhe rrënies së murit të Berlinit, e vetmja superfuqi si nga aspekti ekonomik , ushtarak dhe kulturor. Viteve të nëntëdhjeta të shekullit që lamë pas, disa mendimtarë dhe analistë politik shkuan aq larg sa që deklaruan fundin e historisë dhe ngadhnjmin përfundimtar të sistemit kapitalist amerikan. Të tjerët skiconin rendin e ri botëror, disa e shihnin ate si unipolar – si “pax Americana”, disa si multipolar, të tretët si kaotik. SHBA-të si me presidentin demokrat Bill Klintonin, poashtu edhe me ate republikan, Xhorxh Bush, ishin faktori kryesor i cili solli deri në krijimin e shtetit më të ri në botë, Kosovës, duke vazhduar kështu politikën e Udrou Uillsonit ne fillim të shekullit XX, i cili përkrahu dhe forcoi Shqipërinë, shtet i ri në atë kohë. Pra, sa u takon shqiptarëve, Amerika, pa marrë parasysh e udhëhequr nga republikan apo demokrat, është shtet aleat dhe përkrahës i tyre, dhe shumica dërmuese e shqiptarëve kudo që janë e dijnë këte dhe e duan Amerikën. Mirëpo, diktatorët, terroristët, pasuesit e ideologjive të tjera, anti-demokratike dhe anti-civilizuese, logjikisht nuk e duan Amerikën, simbolin e demokracisë, përkrahësin e popujve të shtypur në botë.
Si pasojë tjetër e fundit të komunizmit dhe lidershipit të pakontestuar amerikan, gjatë viteve 90 të sh. XX, ishte edhe mungesa e konkurrencës ideologjike dhe apatia politike që kaploi vendet demokratike në botë. Zhvillimi i teknologjive moderne të telekomunikacionit dhe informatikës, nga ana tjetër, lehtësoi edhe këmbimet tregtare dhe financiare në mbarë botën. Këto zhvillime teknologjike mundësuan propagimin dhe përhapjen e “rendit të ri botëror”, sigurisht me dominim amerikan, por edhe të përhapjes të anti-amerikanizmit si ideologji në mungesë të një ideologjie të mirëfilltë konkurruese. Armët e forta amerikane, interneti dhe kapitalizmi liberal që mundësuan zhvillim të madh në tërë botën, në mënyrë paradoksale, u shndërruan në armë të fortë të anti-amerikanëve të të gjitha ngjyrave. Sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001, dhe politika e administratës së presidentit Bush prej asaj date deri më sot, sollën nga njëra anë rritjen e paparë të anti-amerikanizmit anë e mbanë botës, por edhe mbrojtën e amerikanëve nga një përsëritje e një sulmi të ngjashëm.
11 shtatori tregoi se edhe Amerika mund të sulmohet, por solli edhe deri te rritja enorme e buxhetit të mbrojtjes që konfirmon SHBA-të si superfuqi ushtarake botërore të pa arritshme dhe të pa parë. Strategjia e administratës Bush për ruajtjen e epërsisë ekonomike të SHBA-ve edhe nga aspekti energjetik, për mbrojtjen e burimeve energjetike dhe të energjenseve të vetë Amerikës siç është qymyri, sollën deri te mosnënshkrimi i protokollit të Kjotos, marrëveshje shumë e rëndësishme për ruajtjen e mjedisit, për shpëtimin e planetit. Kriza financiare dhe ekonomike e para pak kobshme, që u shkaktua nga aplikimi i parezervë i dogmës ultra-liberale të “laissez-faire”, të mos intervenimit shtetëror në rrjedhat financiare dhe ekonomike të shtetit nisi nga SHBA-të dhe u përhap në tërë botën, kontribuoi poashtu dukshëm në rritjen e anti-amerikanizmit në botë.
Telegrafisht, aq sa lejon hapësira dhe momenti i këtij shkrimi, këta janë sfidat më të mëdha me të cilat do të ballafaqohet presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Barak Obama është personi i cili për nga prejardhja dhe biografia e tij, për nga idetë dhe konceptet e tij, për nga mënyra si fitoi së pari në partinë e tij dhe në garën kundër republikanëve, është shpresa e madhe për Amerikën dhe tërë botën. Është personi i cili mund t’ia kthejë imazhin e mëparshëm Amerikës: Amerikën e admiruar dhe jo të urryer, Amerikën, fotografinë e presidentit të së cilës do ta gjejmë nëpër shtëpitë e njerëzve nga Afrika e Jugut deri në Kanada. Amerikanët që jetojnë jashtë atdheut sot thonë “deri dje na urrenin, sot na duan”.
Obama është president i zgjedhur i cili mobilizoi rininë, mobilizoi aktivistë të panumërt në Amerikë, person i cili ka simpatinë e njerëzve të zakonshëm edhe në Indonezi dhe Berlin. Obama ktheu besimin në politikanët, në demokracinë, në mundësinë e amerikanëve të angazhohen dhe me votën e tyre, me të vërtetë të vendosin për ardhmërinë. Obama shtrin dorën kundërshtarëve të vet politik për bashkëpunim në momentet e vështira kur Amerika kalon një krizë të madhe ekonomike, kur miliona vende pune janë në pyetje, dhe Mekejn, si patriot amerikan, thërret përkrahësit e tij të mbështesin presidentin e ri. Obama shtrin dorën e bashkëpunimit si aleatëve poashtu edhe konkurrentëve të Amerikës dhe është i gatshëm që të ulet të bisedojë edhe me kundërshtarët për të tejkaluar armiqësitë, për të gjetur zgjidhje duke mos anashkaluar sigurinë e SHBA-ve dhe të vendeve demokratike të botës. Obama është i brengosur për ardhmërinë e planetit dhe ofron zgjidhje alternative për energji që do të zhvillonte Amerikën dhe do të ruan mjedisin. Obama premton se do të ngadhënjejë ndaj terroristëve dhe se do ta tërheq ushtrinë amerikane nga Iraku..
Në fushatën parazgjedhore, ish-presidenti Klinton, në mbështetje të Obamës në Florida tha: “Florida dhe Obama paraqesin Botën e sotshme dhe Amerikën e ardhshme”. Analisti Timoti Gordon Esh në të përditshmen britanike “The Guardian” shkruan se do ta thoshte ndryshe, “Florida (ku fitojnë republikanët por kësaj here fitoi Obama, ku ka një përzierje të racave dhe komuniteteve të ndryshme etnike) dhe Obama paraqesin Amerikën e sotme dhe Botën e ardhshme”. Amerika edhe një herë i prin botës dhe demokracisë dhe unë do të dakordohesha më parë me Grodon Esh, edhe pse kam respekt të madh për Presidentin Klinton.
Agron BUXHAKU