Në PDSH, duke akuzuar për arbitraritet Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Gjyqin Suprem, e së fundit, pasi nuk hyri në qeveri, edhe partnerin e përbetuar strategjik të deridjeshëm, Nikolla Gruevskin, mundohen t’ia hedhin fajin tjetërkujt për debaklin zgjedhor. E vërteta është se PDSH-ja dështoi në të gjitha vijat e “frontit”, edhe pse në zgjedhjet e fundit fushata e kësaj partie, për dikë që do të kishte rënë nga Marsi, do të ishte dukur ndër më kreativet!
Nëse keni një fushatë vërtetë kreative, që vetë por dhe në media u quajt “fushatë amerikane”(udhëheqësit e kësaj partie flakën foltoret dhe morën mikrofonat në dorë për të komunikuar si shoumenë, ndërkaq në këtë frymë ishin edhe barsoletat e frymëzuara që shpesh shkaktonin gaz në publik), nëse në fushatë kyçni edhe një emër të njohur, analistin amerikan proshqiptar, Janosh Bugajskin si dhe , për më keq, nuk të ndihmon as MTV2-shi e as anketat e porositura nga jashtë për ta favorizuar në sytë e votuesve, dhe përsëri të humbni, diçka nuk është në rregull! Por, jo me të tjerët, por me ju.
Mohimi i 2001-shit, atu e gabuar
PDSH-ja duhet të jetë e kënaqur me 11 deputetë! Duke pasur parasysh gjithë atë antidisponim që e nxiti vetë, vërtetë është mrekulli që kjo parti kaloi pragun njëshifror të numrit të deputetëve. Të ishin përsëritur zgjedhjet gjithandej ku ka pasur parregullsi, PDSH-ja do të merrte vetëm votat e anëtarësisë më besnike që parapëlqejnë frymën dhe retorikën luftënxitëse ndër shqiptarët që me sukses po e propagon kreu partiak që nga viti 1993, pra, një dekadë ë gjysmë, pavarësisht se kush është në anën tjetër të “frontit”, Nevzat Halili, Abdyrahman Aliti, Imer Imeri, Abdylhadi Vejseli apo së fundit Ali Ahmeti.
PDSH-ja ka pasur vetëm një periudhë të ngritjes së vet që ndoshta nuk e materializoi me fitore zgjedhore: në vitin 1998 hyri në koalicion zgjedhor me PPD-në(të cilën pastaj e tradhtoi kur hyri vetë në qeveri me VMRO-DPMNE-në, edhe pse nga ndarja e vendeve PDSH-ja fitoi tre deputetë më pakë!). Ndoshta në ato zgjedhje, po të mateshin forcat me PPD-në që kishte qenë dy mandate në qeveri, do të kishte dalë fituese. Por, kush të spekulojë pas dhjetë vjetësh a thua vërtetë ka pasur rejting më të lartë? Kush mund të dijë të vërtetën për këtë, pasi shumëkush thotë se edhe ata 11 deputetë nuk do t’i kishte fituar nëse s’do të ndanin mandatet me marrëveshje me PPD-në?!.
Një analizë objektive do të na çonte në konstatimin se PDSH-ja përherë ka përdorur atutë e gabuara kundrejt rivalëve të vet. Atutë më të forta i ka pasur kundër PPD-së, të cilën e akuzonte për dështime të mëdha në bashkëqeverisje me LSDM-në, porse në mandatin e parë që hyri vetë në qeveri, PDSH-ja nuk bëri ndonjë hap më të madh se PPD-ja. Të gjitha çështjet etnike i la të hapura(gjuhën, arsimin e lartë...), duke bërë ndonjë lëvizje vetëm në sferën e punësimeve në administratë dhe në sytë e publikut më të gjerë, lente përshtypjen e një partneri të respektueshëm kundrejt faktorit politik maqedonas.
Konflikti i vitit 2001 e gjeti PDSH-në të papërgatitur por dhe pa argumente, pasi nuk doli asgjë nga “marrëveshja historike” që e premtoi para se të hynte në qeveri, iu dha mjaft argumente kryengritësve shqiptarë. Nga mohimi i kërkesave e deri te përpjekja për të shfrytëzuar kryengritjen, ishte një lëvizje taktike që pas luftës rezultoi me kalimin e një numri luftëtarësh në radhët e PDSH-së(Matoshi, Leka...). Ky duhej të ishte një atu kundër Ali Ahmetit, i cili, pas konfliktit, veshi “civillkat” dhe bëri parti, për të dalë në terrenin politik si rival i Arbër Xhaferit.
Çka mund të bënte një parti si PDSH-ja kundër një partie që kishte dalë nga aradhet e UÇK-së? Duket se këtu kreatorët e politikës partiake zgjedhin rrugën e gabuar. Në zgjedhjet që do të vijnë pas 2002-shës, pra në zgjedhjet e vitit 2006 dhe 2008, (në vitin 2002, çfarëdo që të ofronte dikush, nuk kishte shanse kundër Ali Ahmetit), Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaçi e fusin partinë e tyre në fushatën e përbaltjes emotive të luftës së vitit 2001. Më saktë, një nga pikat kyç të platformës zgjedhore është devalvimi i luftës së vitit 2001 të udhëhequr nga Ali Ahmeti. Duke u marrë me këtë ngjarje, strategët e PDSH-së harruan një gjë: shqiptarët jo gjithaq për shkak të Ali Ahmetit, sa për shkak të rezultateve të asaj kryengritje të kufizuar(në kohë dhe fushëbeteja) që ndryshoi kushtetutën e vendit dhe ngriti nivelin e të drejtave të garantuara të shqiptarëve, janë të lidhur emotivisht me 2001-shin dhe nuk do t’i besojnë askujt i cili do të përpiqet të dëshmojë të kundërtën. Ky pozicion anti-2001, në fakt është kundërthënës për vetë partinë dhe është për t’u habitur se nuk është paraqitur ndonjë rebelim në anëtarësi, duke pasur parasysh se kemi emra të njohur që kanë qenë në luftë dhe heshtja e tyre do të thotë dhe mohim i asaj lufte që ata e kanë bërë!!! Por, nëse anëtarësia e disiplinuar e ka pranuar mohimin e 2001-shit si çështje të një strategjie për t’iu kundërvënë kundërshtarit politik, ka qenë naivitet të pritet që pjesa tjetër e votuesve shqiptarë do ta kapërdijnë aq lehtë. Dhe rezultati shihet, përkundër “fushatës amerikane” në zgjedhjet e vitit 2008.
Agresiviteti dhe konstruktet, poashtu strategji e gabuar
Nëse VMRO-ja është konsideruar partia “më maqedonase”, PDSH-ja është konsideruar partia “më shqiptare”. Por, a e bën “më shqiptare” një parti vetëm nëse e huazon flamurin kombëtar dhe e bën stemë partiake, ose nëse në emrin e vet ven atributin “shqiptare”?(Sikundër që a e bën më maqedonase një parti e cila gjithë kohën e ka në gojë maqedonizmën, ndërkaq gjithë ç’bën shkon në dëm të saj?!) Kjo do të ishte argument vetëm për naivët. Ndërkaq argumenti kryesor duhej të jenë veprat. E ndër veprat kryesore të PDSH-së është “prodhimi masiv” i tradhtarëve në radhët e shqiptarëve. Makineria propaganduese e kësaj partie ishte aq sugjestive, saqë fitohej përshtypja se askush s’mbetej shqiptar i pastër nëse nuk është në radhët e PDSH-së! Nëse liderët e kësaj partie mendojnë se dikush duhet të denigrohet me teori të këtilla, nuk e kanë dert që ta shpallin torbesh, turk ose kushedi çka jo tjetër, pavarësisht se janë akuza ksenofobike që tejkalojnë etikën e komunikimit publik. Pra, në këtë parti madje janë përdorur edhe teori raciste për të poshtëruar kundërshtarët politikë(shqiptarët e Kërçovës nuk na qenkan të pastër, por torbeshë, na porositi lideri i PDSH-së në një nga intervistat e famshme të këtyre zgjedhjeve, ndërkaq pastaj hidhërohej pse ata nuk e kanë votuar partinë e tij!), ndërsa kushedi se prej nga e si, për disa udhëheqës madje kanë nxjerrë në shesh dokumente “arkivore” për të dëshmuar se kanë qenë spiunë të Beogradit(rasti me liderin e ndjerë të PPD-së, Imer Imerin, ose siç bëri sivjet një gazetë e Tiranës me Fazli Veliun..., që e përdori PDSH-ja në fushatën kundër BDI-së, por pa sukses).
Dhe, pas gjitha dështimeve me këso përpjekjesh, nëse kjo parti nuk heq dorë nga kjo strategji, nuk mund të presë diçka tjetër, pos disfatave të reja.
Është pula apo veja më e vjetër? Është PDSH-ja apo PPD-ja, ose BDI-ja, e para që ka filluar me strategjinë e mbushjes së kutive? Nëse i dëgjojmë argumentet e PDSH-së, këtë gjë e kanë bërë përherë partitë tjera, e ata “meazallah”, nuk i përlyejnë duart! Së këndejmi, duhet thënë të vërtetën se cirku zgjedhor fillon me përplasjet PPD – PPD(SH), ndërkaq kyçja e BDI-së më vonë ka qenë në terren tashmë të shkelur nga tjetërkush! Duhet thënë një të vërtetë tjetër, që, sadoqë në të kaluarën janë zënë me kërpesh për dore aktivistë të të gjitha partive, nga zgjedhjet e fundit dhe kjo është bërë pjesë e raporteve të monitorëve ndërkombëtarë, “jadeci” i mbeti PDSH-së! Kuptohet, jo rastësisht. Prandaj dhe përkundër strategjisë së trumbetimit të fajit të huaj, pas 1 qershorit pak kush i beson udhëheqësve të PDSH-së! Prandaj, jo që Gjyqi suprem ose KSHZ-ja kanë pasur diçka “personale” kundër PDSH-së, jo që vendimet për përsëritjet e votimeve i kanë marrë me dëshirë të zjarrtë, por kanë qenë të detyruar të mos heshtin ndaj atyre bëmave që monitoruesit ndërkombëtarë i kanë parë në terren – me “shumicë”!
Kuptohet se për dashuri ose për armiqësi nevojiten të paktën dy palë. Në zgjedhjet e qershorit PDSH-ja u përpoq t’i bëjë varrin BDI-së, por ra vetë! Kush i ka analizuar incidentet, ka mundur të vërejë se në shumë raste të parët kanë filluar “mbrojtësit e votës” së PDSH-së, për t’i provokuar ata të BDI-së, dhe kur këta të dytët do të kenë reaguar, është thërritur policia që të përballet me ta! Shumë thjeshtë dhe shumë logjikshëm! Zaten në disa raste aktivistë të BDI-së pikërisht në këtë mënyrë kanë rënë në grackë. Por, në terren monitoruesit kanë parë për së afërmi përmasat e involvimit. Kanë parë ministra e deputetë të PDSH-së me “shoqërim” në vendvotime, kanë parë përleshje të armatosura ku kanë qenë të involvuar aktivistë të PDSH-së dhe kanë parë edhe gjëra që nuk janë publikuar dhe janë shokuese, të cilat në PDSH i dinë fare mirë por, e dinë se më mirë është të akuzosh dikë që ta fshehësh fajësinë tënde! Zonja Millovanoviç dhe z.Fuere më së miri kanë dhënë kualifikimin. Gjëja më qesharake është që tash akuzohet edhe Gruevski se paska punuar për BDI-në kur e dimë dashurinë “e zjarrtë” që ndjen ai dhe partia e tij nda ndaj Ahmetit. Por, është e vërtetë se Gruevski është ai i cili ka qenë i mbështetur për muri dhe para të vërtetës nuk ka mundur më të sigurojë “mbulesë partiake”, kur të gjitha raportet i janë adresuar atij si përgjegjës për procesin zgjedhor.
Mirëpo, të supozojmë se në PDSH flasin për një vjedhje të mundshme votash, atje ku lideri i PDSH-së “gi tepal”(fjalor tipik PDSH-ist) rivalët! A nuk është brengosëse përse një parti që nuk mund të bindë publikun që nuk është ajo që ka vjedhur votat me forcë por të tjerët! Një parti serioze sigurisht se do të dijë t’i bindë me argumente të gjithë dyshuesit. Por, kuptohet, kjo nuk mund të ndodhë nëse të kanë zënë me kërpesh për dore, dhe nëse të kanë zënë në rrenë kur ke bërë be dhe tash, kuptohet, të gjithë e kanë drejtuar gishtin kah ti.
“Marrëveshja e marsit”, atu i vetëm i PDSH-së....
Çka të bëhet tash kur PDSH-ja ndjehet “e tradhtuar” nga të gjithë dhe sillet si fëmija i lazdruar e ngucakeq që mendon se e gjithë bota i ka faj dhe është kundër tij? Ndoshta, përgjigja është në atë të ashtuquajturën “Marrëveshje të Marsit”, për të cilën mund të kapet si i përmbyturi për fijen e kashtës!
Në prag të zgjedhjeve të fundit, lideri i PDSH-së bëri një marrëveshje me kryeministrin Gruevski pas një krize që shumëkush nuk e quan krizë të vërtetë në koalicion, edhe u duk sikur dolën ministrat e PDSH-së nga qeveria dhe tash nuk e dimë as si dolën e as si u kthyen. Në këtë marrëveshje (“Marrëveshja e Marsit”) PDSH-ja kërkoi me të drejtë, sipas shembullit të BDI-së me Marrëveshjen e Majit, të zgjidhen disa nga problemet që ajo s’kishte pasur forcë t’ia imponojë Gruevskit për dy vjet. Tash kur pas konstituimit të parlamentit PDSH-ja vepron jashtë tij, kjo marrëveshje duket si fija e kashtës për shpëtimin e PDSH-së, sepse insistimi në realizimin e saj mund ta faktorizojë, pavarësisht se nuk mund t’i imponojë krizat politike të BDI-së e cila kishte shumicë deputetësh. Ajo që e bën të arsyeshëm insistimin e PDSH-së për të realizuar këtë marrëveshje, është karakteri i saj. Ka qenë marrëveshje sa për sy e faqe, vetëm një ndihmesë afatshkurtër e Gruevskit për PDSH-në në fushatën zgjedhore (në këtë funksion ishte veçanërisht fushata e dhënies së vendimeve për punësime në administratë (kuptohet, para kamerave televizive) në periudhën kur qeveria ishte vetëm teknike!), apo është një marrëveshje e mirëfilltë e cila duhet të jetësohet pavarësisht se PDSH-ja nuk është në qeveri. Se çfarë karakteri ka pasur kjo marrëveshja, PDSH-ja duhet të flasë publikisht për t’ia përkujtuar Gruevskit obligimet që i ka marrë me nënshkrimin e saj. Nëse nuk e bën këtë, do të na bindë se gjithçka paska qenë një shaka parazgjedhore.
PDSH-ja mund të presë, si strategji politike, dështimet eventuale të BDI-së, mirëpo, gjithçka mund të jetë e kotë nëse si parti nuk e ndërron filozofinë politike me retorikë agresive dhe nënçmim të votuesve. Kjo parti duhet t’i kthehet vetvetes dhe t’i flakë të gjitha atutë dhe metodat e dështuara. Përndryshe, votuesit nuk e kapërdijnë më demagogjinë dhe agresivitetin e skajshëm që e solli në jetën politike grupi që futi përçarjen në PPD dhe më vonë armiqësoi shqiptarët mes veti, për t’i bërë gaz para botës nga zgjedhjet në zgjedhje. Më vjen shumë keq, që në grackat e kësaj filozofie joproduktive kanë rënë edhe shumë emra për të cilët si publik kemi pasur respekt para se të devalvohen në këto zgjedhje.
A do të bëhet PDSH-ja ndonjëherë faktorë relevant, varet nga dy faktorë-nga vetë vizioni i partisë për të gjetur rrugën e humbur në oborr(!) dhe së dyti, t’i lutet zotit që BDI-ja të dështojë në bashkëqeverisjen me VMRO-në! Por, as këto të dyja mund të mos i mjaftojnë PDSH-së nëse vazhdon me arrogancën dhe agresivitetin kontraproduktiv të deritashëm që zgjedhësit i bën që të votojnë përherë kundër saj..