Atmosfera e zgjedhjeve të fundit parlamentare lirisht mund të përshkruhet si makbethiane. Për fat të keq, lagjeve të qyteteve tona rrodhi gjaku që në orët e hershme të mëngjesit kur votohej, e deri në mbrëmje kur një lider partiak shpalli veten për fitues të zgjedhjeve. Bile dhe më keq, u lëvdua me sic tha fitoren më të rëndë e më të ëmbël përmes mandateve të përgjakura për veten, të fituara me vrasje dhe ndalim të qytetarëve që lirshëm dhe në mënyrë demokratike të votojnë. U lëvdua me shkelje të vullnetit të qytetarëve si dhe me rrënimin e shtetit dhe dhe institucioneve të tij të cilët duhej të siguronin zgjedhje të lira, fer dhe demokratike për të gjithë qytetarët në gjithë territorin e vendit.
Dhe natyrisht se nuk kam për qëllim që të merem me ata të cilët para se të vrasin të tjerët kane vrarë njeriun brenda vetes, dhe tani nga ata mund të prisni gjithçka përpos njerzishmërisë dhe humanizmit, e aq më pak mund të prisni parime demokratike në angazhimin e tyre politik. Përkundrazi, dëshiroj që edhe njëherë të flas për ate që qindra herë e kam shkruar dhe e kam thënë në këtë gazetë të nderuar, e ajo është rrëninimi i institucioneve shtetërore, funksionimi dhe veprimi selektiv i tyre, fundosja e tyre si rjedhojë e logjikës segregacioniste e cila është e papranueshme dhe si e tillë është e dënueshme. Ditën e zgjedhjeve në njësitë zgjedhore dhe vendvotimet ku votonin qytetarët shqiptarë në këtë vend, nuk funksiononte ligji, pasi votuesve shqiptarë u ishte kufizuar e drejta për lëvizje, gjegjësisht nuk u lejohej të arrinin deri në vendvotime që të përmbushin obligimin e tyre qytetar dhe demokratik – të votojnë. Qasje në vendvotime kishin grupe të bandave të armatosura të cilët të përkrahura në mënyrë logjistike nga policia dhe njësiti special Alfa, kishin një qëllim të vetëm që të fusnin sa më shumë fletë votimi në kutitë votuese. Barbarët, ngjashëm si në poezine e Konstantin Kavafisit, shëtisnin nga një vendvotim në tjetrin, që të arrinin qëllimin, të pamundësonin votuesit shqiptarë te kënë votim normal ashtu si që i ka hije botës demokatike.
Qeveria, Gruevski dhe shteti atë ditë dëshmuan fytyrën e tyre diskriminuese. Dëshmuan se shtetin e kuptojnë në mënyrë segregacioniste me elemente naciste. Dëshmuan se ligjet vendosen dhe vlejnë vetëm për maqedonasit por jo edhe për të tjerët si lloj. Dëshmuan se demokracinë e vlerësojnë vetëm si përfitim për vete, kurse të tjerët që nuk janë të të njejtit etnitet as që e meritojnë. Nuk u duhet. Sepse të tjerët janë më pak të vlefshëm. Nuk janë të njejtë si ata dhe as që munden që të krahasohen me ata. Dhe si të tillë vriten më lehtë. Me lehtë vdesin në zgjedhje. Se fjala është për një qasje të tillë, dëshmoi fakti që asnjeri nga institucionet shtetërore, nuk e pa të arsyeshme që t`i bashkangjitet dhembjes së familjes Ajvazi për të vrarin Naser nga Haraqina. Që ti bashkangjitet dhembjes së grus së tij të re të shtatëzënë dhe nënës së tij të plakur para kohe. Kjo është ashtu sepse në këto zgjedhje për Gruevskin më me rëndësi janë mandatet kurse viktimat dhe numri I tyre nuk janë të rëndësishëm. E përse të jenë, apo nuk janë maqedonas? Apo nuk janë nga të tijtë? Por janë nga rradhët e atyre tjerëve. Nga të tjerët që edhe ashtu lehtë vdesin. Edhe ashtu jeta u vlen pesë para. Edhe ashtu nuk numërohen në numrin e deputetëve të tij.
Për fat të keq, kjo ishte filozofia e qeverisjes dyvjeçare të Gruevskit, kur anjëherë nuk dëshiroi të hedh shikim burrështetasi kah bashkëqytetarët shqiptarë dhe t`i trajtojë ata si qytetarë të këtij vendi, me të drejta të barabarta si të tjerët. Ai zgjodhi t`i nënçmojë shqiptarët si bashkësi duke ushqyer dhe stimuluar deri në gjak konfliktin në mes partive politike shqiptare, duke shfrytëzuar skajshmërisht ndjeshmërinë e shqiptarëve për çeshtje të caktuara etnike dhe politike. Dhe natyrisht duke shfrytëzuar në mënyrë makiaveliste gatishmërinë e partnerit të tij shqiptar të koalicionit që të bëjë çmos, poqëse qe nevoja edhe të derdhë gjak, vetëm e vetëm që të mbetet pjesë e qeverisjes së tij. Në këtë mënyrë Gruevski për fat të keq me ose pa vetëdije u bë eksponent i projektit për ndarjen e shtetit, që jo vetëm se është ide e tejkaluar, por përfundimisht është koncept i cili na largon nga integrimet progresive euroatlantike.
Prandaj konsideroj se është moment i fundit që Gruevski seriozisht të mendojë për vendin e vet dhe për qytetarët e tij. Dhe ate ta bëjë nga qyteti i largët dhe i madh Nju Jorku. Të ngjitet në Statujën e Lirisë dhe ta sheh botën nga një perspektivë më e gjërë. Dhe kur të kthehet në shtëpi të ketë qartësuar disa gjëra. Së pari, të mos i nënvlerësojë kombet që janë flijuar dhe kanë vdekur për lirinë e tyre. Sepse ata të cilët janë flijuar për lirinë e tyre janë të gatshëm po qe nevoja të flijohen edhe për ndërtimin e demokracisë. Si e dyta, të heqë dorë urgjentisht nga koncepti segregacionist, shtet për maqedonasit dhe anarki dhe vandalizëm për shqiptarët sepse ky koncept shkon në dëm të tij si politikan dhe shtetit si tërësi. Dhe përfundimisht, në procesin e rivotimit në njësitë zgjedhore të kthejë kredibilitetin e humbur të shtetit dhe institucionet e shtetit të funksionojnë për të gjithë qytetarët e jo në mënyrë selektive.
Do të besoj se vërtet dëshiron të jetë kryeministër i gjithë qytetarëve , do të besoj se dëshiron të qeverisë me tërë shtetin dhe jo me një vend të ndarë , do të besoj në deklaratat e Gruevskit për zgjedhje fer dhe demokratike vetëm atëherë kur personalisht do ta shoh si mbron një vendvotim në Tetovë, që bashkëqytetarët e tij të kenë mundësinë që të votojnë lirshëm. Kur ta dërgojë Jankullovskën të qëndrojë përkrah kutive të votimit në Saraj, që të sheh se si funksionon policia e saj. Kur do ta dërgojë Gjorçevin në Kondovë e Miloshevskin në Bogovinë që të mundet më mirë të vlerësojë partitë politike të shqiptarëve. Kur do të shtëngohet të mbrojë vendin e vet dhe demokracinë në të, bashkë dhe krah për krah me ambasadoren Milovanovic dhe ambasadorin Fuere, të cilët ditën e zgjedhjeve u djersuan, kurse ai festonte, thuase problemet ndodhnin në ndonjë vend të huaj e jo në vendin e tij.
Kur do veprojë ashtu atëherë do t`i besoj. Fjalët janë cështje e tejkaluar zotërinj. Bëni vepra poqese ju ka mbetur edhe ndonjë fije guximi e përgjegjësie.
Autorja është nënkryetare e Bashkimit Demokratik për Integrim