Festa e Vampirëve

Letër e hapur miqve dhe dashamirëve.

Vendosa ta shkruaj këtë letër për dy arsye. E para: t'u shpreh mirënjohje dhe falënderim të gjithë miqve dhe dashamirëve të cilët u brengosën vërtet për paraburgosjen time të para disa ditëve. Dhe e dyta: ta pastroj tentimin e njollosjes së emrit tim me këtë akt të paraburgosjes. Vetë akti i paraburgosjes ishte edhe qëllimi i njollosjes së emrit tim. Me këtë edhe unë u bëra pjesë e fushatës së MPB që tenton të vendosë shenjën e barazimit mes kriminelëve dhe viktimës. Kjo fushatë po ushtrohet në zonat shqiptare në Maqedoni pas zullumit të madh që iu bë votës së lirë të shqiptarëve.  Kjo nuk është e pamenduar. E gjithë kjo bëhet me qëllim që të fshihet krimi. E kjo më së miri bëhet duke e bërë një barazim të tillë të pamundshëm. Këtë tani po mundohet ta bëjë MPB, duke u munduar të fshehë përgjegjësinë e vet në tërë atë që ndodhi ditën e zgjedhjeve. Një barazim i tillë gjërash e vakishë do ta shfajësonte MPB se ditën e zgjedhjeve, ashtu si edhe gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, ajo ka përkrahur dhe ndihmuar bandat kriminogjene  të ushtrojnë dhunë mbi qytetarët. Do ta shfajësonte MPB nga bashkëfajësia në krim. Mënyrën që e ka zgjedhur MPB për t'u shfajësuar nga pjesa e përgjegjësisë së saj është e gabuar, pasi ajo asnjëherë nuk do të arrijë që ta vendosë shenjën e barazimit mes kriminelit dhe viktimës. Sado që të mundohet ta bëjë këtë, duke arrestuar aktivistë dhe kandidatë për deputetë të BDI-së, në kujtesën e popullit nuk do të shlyhet ajo që vet populli e përjetoi ditën e zgjedhjeve - kasaphanën e paralajmëruar.

Mua më paraburgosën një ditë pas varrimit të martirit Naser Ajvazit në Haraçinë, me pretekst se gjoja në ditën e zgjedhjeve paskam mbajtur armë pa leje. Çfarë konstrukcioni?! Kjo është një shpifje e kulluar nga ana e munafikëve që shpifjet i kanë karakteristikën e tyre kryesore. Si duket këta munafikë kanë krizë të frymëzimit dhe përveç një shpifjeje të tillë absurde nuk kanë mundur të shpikin tjetër gjë. Edhe ata e dinin se kjo gjë nuk mund të dëshmohet jashtë godinës së policisë, ndaj shtrohet pyetja: përse e bënë një gjë të tillë? Përgjigja është e thjeshtë: pas varrimit të Naser Ajvazit që ishte viktima e “kasaphanës – skenarit makabër” duhej që popullit t'i servohen lajme nëpërmjet mediumeve të kontrolluara se gjoja ka edhe tjerë fajtorë në zullumin e 1 qershorit. Në këtë pikë kanë harruar një detaj të vogël. Dhuna me 1 qershor ndodhi para syve të popullit dhe nuk pinë ujë fushata e inskenuar pasi vet populli ishte viktimë e dhunës së ushtruar nga ana e bandave kriminogjene të mbështetura nga disa struktura të MPB. Vet populli e pa rezultatin e skenarit makabër të paralajmëruar si “kasaphanë” në mbrëmjen e 1 qershorit. Deri sa populli i përgjakur numëronte plagët dhe viktimat, në qendër të Tetovës u mblodhën VAMPIRËT që të festojnë ashtu siç e kanë zanat vetëm ata, duke vallëzuar mbi gjakun e derdhur. Festa e tyre mbi gjakun derdhur e vërtetoi edhe “vampirllëkun” e Vojvodës (kryevampirit) që shpalli të ashtuquajturën “fitore të lezetshme”. Në të vërtetë, më 1 qershor ndodhi një FITORE e madhe. Ishte kjo fitorja e popullit që doli të votojë masovikisht. Madje, votën e popullit nuk arritën ta përmbysin as edhe kutitë e mbushura nga “vampirët e vegjël” që gjithë ditën e lume vetëm atë gjë bënë. Terrorizuan popullin dhe mbushën kutitë e votimeve. Këta “vampirë të vegjël” si hiena u turreshin vendvotimeve. Dhe pasi “alfat” apo një pjesë e “vampirëve të vegjël” që prezantoheshin si “alfa”, ua siguronin terrenin duke e larguar popullin dhe vëzhguesit, “vampirët e vegjël” fillonin gostinë e tyre – mbushjen e kutive. Në gjithë këtë kishte edhe një kënaqësi prej vampiri, pasi po realizonin misionin që u kishte ngarkuar Vojvodë kryevampiri, i cili me siguri në një nga shpellat e tij të errëta vetëm numëronte misionet e kryera.

Mua më njohin të gjithë si Pelivan. Me këtë sport tradicional tonin edhe e kam ndërtuar karrierën time sportive. Në shumë mejdane sportive jam ndeshur me shumë kundërshtarë, në disa raste (të rralla) edhe kam humbur nga kundërshtarët më të përgatitur se unë. Në ato raste unë ua kam shtrirë dorën kundërshtarëve dhe ua kam uruar fitoren. Pasi sporti i mundjes, ashtu si edhe të gjithë sportet marciale, sado që duken të dhunshme, në vete përmbajnë kodin esencial të jetës – fisnikërinë. Kur e pranova kandidimin për deputet, e pranova me të njëjtën ndjenjë brenda meje, që nëse humbi në këtë mejdan do t’ia shtrij dorën kundërshtarit tim. Por, çfarë ndodhi me 1 qershor? “Vampirët e vegjël” duke realizuar misionet e tyre të fëlliqta nëpër vendvotime po kryenin edhe një mision tjetër, të fshehur. Provokimin e popullatës për gjakderdhje të përmasave të mëdha. Kjo dukej qartë nga provokimet, sharjet dhe ofendimet që u bëheshin njerëzve në sy të të njohurve dhe familjarëve të tyre. “Vampirët e vegjël” haptas provokonin njerëzit që të reagonin ashtu siç ata prisnin, që më pas të pasonte “zbatimi i ligjit”. E zbatimin e ligjit do ta bënin forcat e Institucioneve të shtetit, që prisnin në paqe ta fitojnë atë që e humbën në luftë.  Dhe për gjithë këtë “vampirët e vegjël” me shpirt mundoheshin t'i krijojnë rrethanat e nevojshme.

Kjo më solli ndër mend një ndodhi nga fëmijëria ime, kur policia komuniste e Jugosllavisë erdhi në  lagjen tonë për të “zbatuar ligjin”. Zbatimi i ligjit ishte rrënimi i mureve (avllive) përreth shtëpive që ishin më të larta se një metër, me pretekst se brenda mureve të larta shqiptarët po komplotonin kundër shtetit. Kuptohet “zbatimin e ligjit” e bënin të burgosurit që i kishin sjellur nga burgjet, ndërsa policia vështronte me kujdes ndonjë reagim nga të zotët e shtëpive që vepronin duke zbatuar pjesën e tyre të atij operacioni. Atë kohë Babai im, duke mos ditur si t'u përgjigjet pyetjeve të mia për atë se çfarë po ndodhte me derën dhe murin e shtëpisë, më tha shkurt: Kështu vepron policia e këtij pushteti që quhet “pushtet i popullit”, këtë “i popullit” e dëshmon vetëm atëherë kur vjen për të pirë gjakun e popullit. Gjatë kohës (28 orë) sa isha në paraburgim nëpër kokë më kalonte prore kjo fotografi nga fëmijëria. Dhe nuk ishte kjo që më jepte kurajo, ishte varrimi i Naser Ajvazit një ditë më parë, në varrezat e dëshmorëve në Haraçinë. Atë ditë trupin e tij e përcollëm për në banesën e tij të fundit, por thellë në mua e ndjeja se gjaku i tij do të përhapet në trojet shqiptare si dritë që i përzhit “vampirët e vegjël”. Me siguri që po, pasi “vampirët e vegjël” nuk e duan dritën, ata preferojnë errësirën. Ata nuk e duan ardhmërinë e qartë e të sigurt siç është integrimi në NATO dhe EU. Ata duan kaos dhe errësirë pasi vetëm në rrethana të tilla mund të funksionojnë. Ata nuk duan mejdan të pastër ku çdo gjë matet siç thotë fjala TEK E TEK. Ata duan terror dhe presione për ta dëshmuar forcën e tyre duke sulmuar si kope hienash.

Gjatë kohës sa isha në paraburgim duke i duruar të gjitha presionet psikike u binda se rasti im ishte vetëm një pikë uji në detin e madh të zullumit që iu bë popullit në ditën e zgjedhjeve. U binda se populli me votën e tij deshi ta përhapë dritën e nevojshme për ardhmërinë e vet, por “vampirët e vegjël” e pamundësuan atë dritë që të përhapet në përmasat e duhura. Po kjo dritë do të përhapet pavarësisht skenarëve makabre të “Kryevampirit” që frikësohet nga drita. Pasi drita është bereqet, drita është ardhmëri. Unë ashtu siç iu bashkëngjita Kushtrimit të popullit në vitin 2001, ashtu iu bashkëngjita edhe Kushtrimit “Unë nuk kam plumba për shqiptarë!” të Z. Ali Ahmeti. Iu bashkëngjita me besimin e plotë se vetëm ajo rrugë ofron dritën e nevojshme për ardhmëri. Dhe do të qëndroj në atë rrugë pavarësisht vështirësive momentale në horizont. Fundja, po kështu ka qenë edhe në të gjitha periudhat historike të kombit tonë. Duke i shikuar këto rrethana e paramendoj se me çfarë problemesh është ballafaquar Ismail Qemali në vitin 1912 me shpalljen e pavarësisë. E dimë të gjithë se çfarë skenare makabre në atë kohë ka ofruar Esat Pashë Toptani. Por historia i ka shënuar të gjitha ngjarjet dhe pjesëmarrësit në ato ngjarje. Të gjithë e dimë se çfarë vendi në histori ka Ismail Qemali dhe çfarë vendi ka Esat Pashë Toptani...

Deklaratat e zyrtarëve të PDSH-së lidhur me dhunën dhe krimin e tyre gjatë zgjedhjeve, ngjajnë në betimet e lavireve kur betohen se përkundër ushtrimit të zanatit të tyre ende janë të virgjëra. Dhe mjafton që me deklaratat e tyre ta dëshmojnë virgjërinë e tyre ende të pacënuar. Fundja në modë janë qepjet e himenëve artificialë dhe shumë “zanatlie” edhe arrijnë që të dëshmojnë “virgjërinë” e tyre, por vetëm para të painformuarve... Por kjo nuk mund të depërtojë në kujtesën kolektive të popullit ku janë të shënuara faktet se veprimet e tilla filluan që me ndarjen e PPD-së së vjetër. Pra, ata veprime i filloi fraksioni PPD-SH. Aktiviteti i tyre ishte për ta instaluar krimin në struktura të fraksionit duke demonstruar thyerje të kutive dhe dhunë në vendet e zgjedhjeve. Këtë mund ta vërtetojë edhe vet Kryetari i tanishëm i PPD-së Abdyl (andej – këndej - hadi) Vejseli. Gjatë fushatës së tij për prefekt të Tetovës, pikërisht Vojvoda i tanishëm i  PDSH-së ia thyente kutitë në secilin raund të zgjedhjeve. PPDSH-ja e instaloi dhunën si mjet për të siguruar vota pasi nuk kishin asnjëherë përkrahjen e popullit. Fundja asnjëherë edhe nuk i kanë fituar zgjedhjet, sepse populli me instinktin e tij përherë i ka dalluar se ata janë mish i egër në mesin e tyre. Kujtesa  e popullit dhe instinkti i tij për ta dalluar mishin e egër, përherë ka qenë dhe është plumbi i argjend për të keqen e llojit të vet.  

Për fund, dua të shpreh mirënjohjen time për pjesëtarët e policisë të cilët, përkundër  presioneve, vendosën ta tregojnë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në lidhje me rastin e paraburgosjes sime. Ndërsa rastin tim nuk do të lejoj të mbarojë me kaq. Tentimin e munafikëve që të më privojnë nga drita e Zotit, do ta zbardh deri në fund. Me avokatët e mi do t'i padis të gjithë të involvuarit në këtë shpifje makabre. Do t'i detyroj që të dalin në dritë të gjithë “vampirët” duke i nxjerrë nga strofkullat e tyre. Këtë nuk do ta bëj për ndonjë përfitim personal, por vetëm si detyrim ndaj gjakut të derdhur në ditën e 1 qershorit. Vetëm kështu do të mbisundojë pushteti i dritës mbi errësirën që do të vendoset me votën e lirë të popullit. 

Dr. prof. Vullnet Ameti   



 
   
   
     
     
 
ANALIZA:
[24.02.2009]
TE VOTOJME PER ARDHMERINE
  Shkruan:
[21.01.2009] Zgjedhje pa media!?
  Shkruan:Vait AJRO
[14.01.2009] KUFIJTE QE BASHKOJNE
  Shkruan:Abdilaqim ADEMI
[16.12.2008] INVESTIM PER TE ARDHMEN TONE
  Shkruan:Abdilaqim ADEMI
[02.12.2008] NENTORI I FESTAVE TONA
  Shkruan:Abdilaqim Ademi
[11.11.2008] E MUNDSHMJA DHE E DESHIRUARA
  Shkruan:
[10.11.2008] OBAMA, PERFAQESUES I AMERIKES SE SOTME DHE BOTES SE ARDHSHME
  Shkruan:
[03.10.2008] TAKIM I LIDERIT TE BDI-se AHMETI ME AMBASADORIN E SHBA-ve REEKER
  Shkruan:
[24.07.2008] PDSH AS NE TOKE AS NE QIELL
  Shkruan:Daut Dauti
[14.07.2008] KUSH E “PUTINIZOI” GRUEVSKIN
  Shkruan:Milazim Krasniqi
[19.06.2008] NE DHE TE TJERET
  Shkruan:Teuta Arifi
[10.06.2008] MPOSHTJA E DEMOKRACISE
  Shkruan:Teuta Arifi
[06.06.2008] Festa e Vampirëve
  Shkruan:Vullnet Ameti
[25.05.2008] Studentët duhet dashur – jo rrahur
  Shkruan:Mahi Nesimi
[21.05.2008] PLUMBA DHE KESHILLTARE
  Shkruan:Teuta Arifi
[19.05.2008] Misioni me shumë pikëpyetje i Bugajskit
  Shkruan:Naser Elmazi
[14.05.2008] GRUEVSKI S’MUND TA ANASHKALOJË VULLNETIN E SHQIPTARËVE
  Shkruan:Mahi Nesimi
[14.05.2008] KUSH KA PLUMBA PER TE VRARE SHQIPTARE
  Shkruan:Kim Mehmeti
[12.05.2008] DIVERSITET DHE PARAGJYKIME
  Shkruan:Teuta Arifi
[08.05.2008] ZGJEDHJE
  Shkruan:Teuta Arifi
[07.05.2008] A KANE DILEMA PDSH DHE THAÇI PER PAVARESINE E KOSOVES?
  Shkruan:Isen Saliu
 
 
Pas 15 viteve pjesa qendrore e Gostivarit me plan te ri detal urbanistik
MOJSIU VIZITON MOMUMENTET SHQIPTARE NE SHKUP
Fjalim i Zevendes-kryetarit te Qeverise se RM-se z. Abdilaqim Ademi ne Forumin nderkombetar organizuar nga Fondacioni Boris Trajkovski me teme: Vlerat tona te perbashketa
Ministri Bajrami merr pjese ne konferencen Investimi ne kohezionin social
Ish drejtori i Poletit i arrestuar dite me pare nuk ka qene keshilltar i kryetarit te Tetoves
RESTAURIMI I XHAMISE MUSTAFA PASHA PARA RAMAZANIT

ALI AHMETI TAKOI ALFRED MOJSIUN

kongresi i manastirit


 
 
 
 
EMRI JUAJ:


PYETJA:


www.bdi.org.mk
Copyright © 2007 BDI Bashkimi Demokratik për Integrim!All rights reserved.
 
Site Meter