Nëse bartës liste e një partie politike në njësinë zgjedhore numër 6 është ministrja e punëve të brendshme, dhe në atë njësi zgjedhore ndodhin incidentet më të ashpra që nga demolimi i shtabeve zgjedhore e deri tek gjuajtjet e qëllimshme në drejtim të liderit të një partie politike opozitare, atëherë mesazhi është më se i qartë. Kjo nënkupton se Ministria e Punëve të Brendshme është bashkëpjesëmarrëse në dhunën parazgjedhore, se merr pjesë paraprakisht në organizimin dhe planifikimin e frikësimit të qytetarëve, dhe se realizon konceptin totalitar të eliminimit fizik të atyre që mendojnë ndryshe të identifikuar si opozitë. Bile edhe më keq. Nëse ministrja e Punëve te Brendshme nuk mund të ndikojë në mënjanimin e dhunës me ngjyrë politike në njësinë zgjedhore ku ajo garon, vlerësoj se do të mbetet në kujtesë kohë të gjatë vetëm si bartëse e çdo gjëje tjetër përpos si bartëse e listës për deputetë.
Më kujtohet se para më shumë se një viti shkrova se Gruevski zgjodhi variantin më të papërshtatshëm në në ndërtimin e raporteve politike me shqiptarët, çmimin e të cilit do ta paguajmë të gjithë ne, gjegjësisht i gjithë vendi. Ai që nga fillimi i mandatit të tij përkrahu dhe ushqeu konceptin e dhunës. Me tolerimin e dhunës në institucionet e larta arsimore në gjuhën shqipe dhe me shumë shembuj të tjerë Gruevski deshi të ndërtonte konceptin sipas të cilit demokracia është përfitim dhe vlen vetëm për maqedonasit, por jo edhe për shqiptarët. Ai lejoi dhe u pajtua që institucionet e shtetit të bëhën mjet i dhunës në duart e PDSH-së si parti e tij e preferuar, me të vetmin qëllim që e gjithë kjo të përdoret kundër partisë tjetër të shqiptarëve BD-Isë. Gruevski dëshironte dhe mendonte se me provokimin e dhunës së PDSH-së ndaj BDI-së do të kompenzonte numrin e pamjaftueshëm të deputetëve të cilet i kishte PDSH-ja në Parlament, sa herë kur në rend dite paraqitej nevoja e sjelljes së çfarëdo ligji për të cilin nevojitej shumicë e Badinterit.
Dhe llogaria arriti. Vetëm tri ditë para fillimit zyrtar të fushatës dhe pas dhunës së ushtruar, erdhën mesazhet nga partnerët ndërkombëtarë dedikuar të gjitha institucioneve dhe qytetarëve, se nëse dhuna vazhdon edhe më tej nuk do të ketë as datë për negociata me UE dhe se do të marim raport negative për procesin zgjedhor me çka definitivisht do të duhet të harrojmë NATO-n, por tani jo për shkak të kontestit për emrin me Greqinë, por për shkak të mospasjes kapacitet për organizimin e zgjedhjeve të drejta, të qeta dhe demokratike. Pyetjes që duhet t`i përgjigjet qeveria në largim dhe bartësja e listës në njësinë zgjedhore numër 6, nga rradhët e VMRO-DPMNE, ëshë se a do të lejojnë që të rrezikohet ardhmëria euroatlantike të Maqedonisë për shkak të udhëheqjes së gabueshme politike, veçanërisht në menaxhimin e marëdhënieve multietnike. Me çka edhe njëherë u vërtëtua teza se dhuna në procesin zgjedhor vetëmse mund të na largojë nga proceset integruese euroatlantike kah të cilat pretendojmë më shumë se një decenie.
Fatkeqsisht, mungesa e guximit që të paraqiten në zgjedhje me platforma politike e jo me plumba, PDSH e humbur dhe e çorientuar përpiqet që ta kompensojë me promovimin e ekspertëve të jashtëm. Megjithatë, unë personalisht jam e kënaqur lidhur me angazhimin e analitikut amerikan Bugajski për këshilltar në fushatën e PDSH-së. Shpresoj se brenda dy javësh, ai do të arrijë që liderin dhe kandidatët për deputetë të kësaj partie t`i mësojë disa gjëra, veçanërisht për atë së çka paraqet demokracia. Për ate se Parlamenti është institucion ku duhet demonstruar mençuri dhe aftësi oratorie, e jo muskuj e shqelma. Se në zgjedhje në vendet demokratike konkurojnë më shumë se një parti, që do të thotë se edhe opozita mer pjesë. Se liderët e partive politike duhet të pretendojnë të jenë liderë dhe burrështetas, e jo kasapë. Se personat e sigurimit të liderit të një partie politike nuk duhet të inkurajohen që të shtijnë me armë zjarri kundër liderit të një partie tjetër dhe për atë të mos dënohen sipas ligjit. Se qytetarët kanë të drejtë vote, dhe se askush nuk mund t`ua marrë atë të drejtë.
Me gjithë respektin për z. Bugajski dyshoj në suksesin e misionit të tij. Sepse nxënësit e tij nuk duan dhe nuk kanë kod për demokraci, por duan këtë zotëri të nderuar ta shëtisin rreth e rrotull ashtu që qytetarët të bien në grackën se SHBA qëndron pas kësaj partie. Dhe si zakonisht gabojnë. Jo Bugajskin, por edhe të angazhojnë një njësi të tërë ekspertësh amerikanë, nuk i ndihmon dot në përmirësimin e imazhit dhe veprave të tyre. Aqë më tepër, jam e bindur se SHBA nuk duan që të implikohen në lojërat provinciale të një politike të vogël e aq më pak do të përkrahnin dhunën si mënyrë të udhëheqjes së politikës.
Për këtë, puna më e mirë që z.Bugajski mund ta bëjë për udhëheqësinë e PDSH, është ta mësojë sit ë jetë një opozitë e mirë, konstruktive dhe intelektuale. Si që është partia e Bexhet Pacollit në Kosovë, e cila gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale për këshilltar kishte pikërisht të nderuarin z.Bugajski.
Autorja është nënkryetare e Bashkimit Demokratik për Integrim