Zbarkimi i analistit të njohur amerikan Janosh Bugajski në Maqedoni në këtë periudhë të fushatës zgjedhore nuk përbën asnjë lajm me rëndësi në kushte normale, pasi që një moment të tillë rajoni me mjaft tensione tërheq vëmendjen e mediumeve dhe të qarqeve mediatike jo vetëm këtu, por shumë më gjerë se kaq. Por kësaj radhe kursi dhe optika e punës së Bugajskit duket se ka ndryshuar tërësisht. Ai nuk ka ardhur ashtu siç e pohoj edhe vetë në rolin e tij si drejtor i Qendrës për Studime Strategjike dhe të analistit të cilit i jemi referuar shumë herë, por si mbështetës direkt i Partisë Demokratike Shqiptare. Misioni i tij që në fillim shënoi disa pikëpyetje, që lidhen jo vetëm me statusin e këtij analisti të njohur dhe të pavarur ashtu sikur jemi mësuar deri tani ta ndeshim, por pjesë e shtabit zgjedhor të një subjekti politik. Mbulesa që ai i bën kësaj iniciative shumë të pazakontë nuk mund të përligjet nga statusi dhe pozicioni publik për të cilin Bugajski ka investuar. Është problem i tij se si do të justifikojë mbulesën e këtij veprimi shumë komprometues për të, por ama kreditet e besueshmërisë së qëndrimeve të pavarura do të bien shumë dhe që sot e në vijimësi ato do të jenë të diskutueshme. Mbajtja hapur e pozicionit ndaj palëve dhe inkuadrimi në një fushatë përkrah një subjekti politik, zhvesh tërësisht pozicionin deri tani të pavarur të cilin Bugajski është rrekur ta mbrojë përmes analizash të shumta.
Mbulesa e tij në këtë mision me shumë pikëpyetje sigurisht që nuk është shtetërore dhe ai nuk është në asnjë mënyrë përfaqësues i SHBA-ve pranë shtabit politik të PDSH , dhe aq më tepër ashtu sikur deklaroi Thaçi , i dërguar i saj si kompensim i mirënjohjes që kanë SHBA-të për këtë subjekt politik. Reagimi diplomatik ndaj këtij statusi që i është dhënë Bugajskit nuk do të mungojë, aq më shumë kur njihen dhe janë të çertifikuara qëndrimet e standardet demokratike të administratës amerikane për paanësi dhe mosndërhyrje në zgjedhje . Një muaj më parë një alibitë e mbështetjes amerikanë ndaj njërit apo tjetrit subjekt politik u detyrua t’i demantojë menjëherë ambasadorja Milianoviç. Brenda një periudhe të shkurtër krijohet një alibi tjetër për mbështetje amerikanë , por kësaj radhe duke përdorur emrin e Bugajskit.
Mbulesa shtetërore sigurisht që mungon, por mungon njëherësh edhe ajo diplomatike. Ndërkohë analisti i cili ka pohuar se mbështet programin më të mirë të shqiptarëve, pa u njohur aspak me programet e subjekteve të tjera politike, bën gabimin dhe komprometimin e radhës, duke dëshmuar se mbulesa e tij në këtë fushatë, është vetëm financiare. Praktika e pajtimit të ekspertëve dhe e konsulentëve në fushatat elektorale vërtet është e njohur dhe përdoret gjerësisht, por ajo janë kompani të çertifikuara dhe personazhe që nuk i janë paraqitur deri tani opinionit sit ë pavarur. Kthesa e pavarësisë që mori Bugajski , për hir natyrisht të një fature financiare që paguhet nga paratë e mbledhura me reketim, bën që analizat e tij në të ardhmen të lexohen dhe interpretohen vetëm nga këndvështrime finaciaropolitike. Mesazhet disavjeçare të dhëna prej tij dhe qëndrimet koherente për zhvillimet politike në Ballkan e kanë humbur tërësisht pavarësinë dhe objektivitetin e tyre, pas rreshtimit ushtarak që ai pranoi të bëjë në krah të një partie . Vërtet emri dhe statura mediale e Bugajskit është e lartë, por mesazhet që ai përcjell nuk janë më ato të një analisti të ftohtë, objektiv, që i shikon dhe i gjykon zhvillimet nga paneli që është jashtë partive politike. Duke bërë thirrje për të votuar për një subjekt te caktuar që sipas tij ka programin më të mirë, ai merr përsipër një mision shumë të pamundur dhe komprometues tërësisht për të. Ai në pozicionin që kishte deri tani mund të analizonte ballafaqonte programet politike, të bënte përqasjet e tyre me zhvillimet e ardhshme të Maqedonisë dhe prirjet integruese të saj, të gjente pikat ku takohen dha ndahen këto programe, por kurrsesi nuk duhet të binte në pozitën e një partiaku të rëndomtë apo një gjenerali të pensionuar që nuk njeh më as ngjarjet dhe as zhvillimet në terren.
Në rast se ai do të ishte një vëzhgues nga jashtë dhe rekomandues pa pasione politike në mënyrë të barazlarguar nga të gjitha subjektet shqiptare, misioni normalisht duhej përshëndetur, por nuk kemi të bëjmë fatkeqësisht aspak me një gjë të tillë. Ai erdhi i bindur për t’u keqpërdorur pasi më parë se të nënshkruajë një kontratë morale me shqiptarët për sinqeritetin e motivit të tij, ka nënshkruar kontratën financiare. Këtu fillon dhe përfundon misioni i tij , i cili do të përpiqet të modifikohet në të ardhmen, por shanset nuk do të jenë të tilla. Besueshmëria e paanësisë ka rënë dhe po spekulohet siç bëri hapur Thaçi me vizitën e pajustifikuar e pa mandat të Bugajskit. Aleanca shpirtërore dhe historike që kanë shqiptarët me SHBA-në është një kontribut disavjeçar i historisë sonë, dhe ajo nuk mundet të përkufizohet apo të futet në suazat politike të një subjekti politik, për të cilin historia ka mbajtur shënimet e saj. Ky guxim politik për të shitur ardhjen e Bugajskit si qëndrim i hapur proamerikan ndaj PDSH-së, do të ketë normalisht rejtingun në ulje përpara faktorit ndërkombëtar për këtë subjekt politik, pasi nuk ka asnjë shans që politika e administratës amerikane të pozicionohet në një mënyrë të tillë. Në fushata elektorale bombat tymuese mund të jenë të shumta, por është absurde të shkohej deri në këtë pikë që një iniciative private e një analisti, t’i ofrohej publikut si mbështetje që vjen përtej Atlantikut. Bugajski nuk ka dhe as nuk mund të ketë veshjen e të dërguarit amerikan në fushatë. Në se do të jetë kështu, ai duhet të prononcohet publikisht për një mision të tillë, mision për të cilin vetë ai para së gjithash nuk e ka. Abuzimin që bëjnë të tjerët me misionin e tij me sa duket është pajtuar ta shesë përkundër një çmimi, vlera e të cilit do t’i rëndojë shumë në besueshmërinë e tij të sotme dhe të ardhme.
Burimi: www.lajmpress.com